Muslija po bëhet lider te Hannoveri

Florent Muslija mund të bëhet lider i ri i Hannoverit. Trajneri Mirko Slomka e ka lavdëruar futbollistin kosovar, të cilit po mendon t’ia besojë një rol të rëndësishëm sezonin e ardhshëm në fanellën gjelbër e bardhë

Florent Muslija po bëhet futbollist gjithnjë e më i rëndësishëm te Hannoveri.

Futbollisti kosovar e festoi ditëlindjen e 21-të, ndërsa trajneri Mirko Slomka e ka konfirmuar besimin karshi përfaqësuesit më të ri të Kombëtares së Kosovës.

Madje, futbollisti ofanziv mund të jetë lideri i ri i ekipit nga Hannoverit nga sezoni i ardhshëm në Bundesliga.

Muslija po e shfaq kreativitetin e tij edhe në fazën përgatitore parasezonale.

“Florenti dje e kishte ditëlindjen dhe ishte normale se iu lejua të hante tortë. Sot ishte një program normal i nutricitetit. Nëse Flo është në lojë, do të thotë se ai po bën mirë”, ka thënë trajneri Slomka, i cili llogarit në 21 vjeçarin, por edhe në dy talentët tjerë, Maina e Weydandt.

“Muslija ka kreativitet, Maina ka shpejtësi të jashtëzakonshme, ndërsa Weydandt ka fuqi për të shkuar përpara. Ne kemi tipa lojtarësh mjaft specialë në ato pozita. Kur Florenti punon dhe ka njerëz që punojnë përreth tij, ata e çojnë përpara njëri-tjetrin”, i ka lavdëruar Slomka tre lojtarët e tij.

Muslija ka luajtur mjaftueshëm sezonin e kaluar tek Hannoveri dhe e ka arsyetuar besimin e trajnerit.

Në sezonin e ri, ai mund të jetë edhe më i rëndësishëm dhe lider i klubit gjerman.