Musli-Shoshi i reagon raportueses së BE-së për vizat: Ne jemi gjithmonë në karantinë, meritojmë më mirë

Diplomati gjerman, Wolfgang Ischinger ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të bëhet liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Ai përmes një postimi në Twitter, ka shkruar se Liberalizimi është një premtim i papërmbushur i BE-së ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Ok, kështu që le ta bëjmë tani! Liberalizimi i vizave për të gjithë qytetarët e Kosovës është një premtim i paplotësuar i BE-së. Vonesa e gjatë – Besueshmëria e BE-së është në diskutim!”, ka thënë Ischinger.

Raportuesja e BE-së, Viola von Comon ka reaguar duke thënë që kjo çështje të adresohet te Presidenti Francës dhe ai i Holandës.

“Shumë mirë. Mos harroni që ta adresoni këtë mesazh te Emanuel Macron dhe Mark Rutte. Këta janë kryesisht ata që kanë dorë sa i përket Liberalizimit të vizave për Kosovën.

Për këtë ka komentuar edhe anëtarja e komisionit për punë të jashtme dhe diasporë, Ariana Musliu Shoshi.

Ajo ka shkruar se pa Liberalizimin e Vizave, qytetarët e Kosovës janë në karantinë.

“Pa liberalizimin e vizave  qytetarët e Kosovës janë gjithmonë në karantinë. Ne meritojmë më mirë!”, ka thënë Musliu-Shoshi.