Mushkolaj: Veteranët duhet ta kenë pensionin deri në 600 euro, por njëherë të pastrohen listat

Analisti Imer Mushkolaj në “Debat Plus”, ka thënë se listat e veteranëve duhet të pastrohen dhe pastaj pensionet të rriten deri në 600 euro.

“Unë jam ta bëjmë pensionin 500 apo 600 euro, por kur të pastrohen listat, kur të ikin mashtruesit, por edhe jo të lidhet  me çdo kusht me pagën minimale”.

Kështu ka thënë analisti Imer Mushkolaj i cili është pjesë e panelit, ku po diskutohet çështja e listës së veteranëve.

Mushkolaj më tej ka thënë se çështja e veteranëve duhet të zgjidhet sa më shpejt, dhe se vetë veteranët sipas tij duhet ta “ndajnë shapin prej sheqeri”, dhe të kontribuojnë në “pastrimin” e listave.

Po ashtu, Mushkolaj e ka quajtur diskriminues faktin që veteranët nuk mund ta marrin pensionin nëse punojnë. Sipas tij, veteranët që banojnë në diasporë, edhe punojnë edhe i marrin pensionet në Kosovë.

“Nuk duhet me vazhdu kështu, duhet të gjendet një zgjidhje për shkak se nuk mundet me vazhdu kështu. Veteranët duhet ta ndajnë shapin prej sheqeri, jo 170 euro, me ja leju të drejtën me punu veteranëve, sepse është absurde dhe diskriminuese mos me lanë me punu, me 170 euro po e bllokon mos me punu, është e pamundshme me jetu ashtu”, ka deklaruar Mushkolaj.

Tutje Mushkolaj, tha se veteranët duhet ta kenë respektin më të madh në shoqëri dhe se “çdo përpjekje për partizimin e tyre, është jo e mirë”. Sipas tij, në Kosovë ka pasur tentativa për ta politizuar çështjen e veteranëve.

Ai tha se veteranët duhet të kategorizohen dhe jo të futen në një rank të gjithë./RTV Dukagjini/