Murseli nuk largohet nga Drita, por është i pakënaqur me rezultatet e saj

Valon Murseli ka vendosur të mbetet të paktën deri në fund të këtij edicioni president i kampiones në fuqi të Kosovës në futboll, Dritës. Por, ai është shprehur i pakënaqur me rezultatet e dy ndeshjeve të fundit të klubit gjilanas. Ai u ka kërkuar falje për disfatën e pësuar nga Prishtina dhe barazimin e Besës. Dita me dy rezultatet e fundit ka rënë nga pozita e parë në të tretën.

“Jemi të vetëdijshëm që këto rezultate negative tek disa tifozë e kanë zbehur besimin për suksese, por Drita edhe në vitet më të lavdishme të saja, ka kaluar nëpër këso lloje pengesash e presione dhe nuk ka pasur forcë që e ka ndalu drejt qëllimit të saj. Sot jemi edhe ne të zhgënjyer së bashku me ju për këto rezultate negative andaj edhe ju kërkojmë falje, sepse futbolli i ka të gjitha rezultatet andaj ne si një ekip kampion i vendit duhet ta pranojmë çdo rezultat”, ka shkruar Murseli në letrën e publikuar të enjten në faqen zyrtare të klubit Drita në Facebook. “Duke pas parasysh angazhimet e mija familjare dhe të bizneseve gjithandej nëpër botë, tash e një vit kam menduar tërheqjen nga posti i presidentit të klubit por asnjëherë nga aksionet qe kam në klub. Në këto momente jemi të fokusuar tërësisht në ndeshjet e radhës dhe dorëheqja ime nuk bëhet fjalë tani, sepse ne llogaritë i bëjmë në fund të sezonit. Klubi do të jetë në duar të sigurta dhe do të vazhdojë sigurt drejtë synimeve tona të përbashkëta edhe për shumë vite”. Pas disfatës së pësuar nga Prishtina në Gjilan, Drita ka marrë kritika e akuza për lëshim të ndeshjes.