Muriqi mbetet te Fenerbahçe të paktën deri në fund të sezonit

Fenerbahçe është e vendosur të mos e shesë kartonin e Vedat Muriqit deri në afatin kalimtar të verës.

Shumë klube të mëdha evropiane kanë shprehur interesim për ta transferuar yllin e Kombëtares së Kosovës qysh në këtë afat kalimtar të dimrit.

Por, gjiganti turk dëshiron ta mbajë Muriqin i cili po e ndihmon skuadrën e Fenerit në luftë për titull të kampionit në Turqi.

Klubi i madh anglez, Tottenham, thuhet se i prinë garës për t’i siguruar shërbimet e sulmuesit prizrenas.

Sidomos për faktin se Harry Kane është lënduar dhe pritet të mungojë gjatë. Ndërsa, Mourinho e sheh Muriqin si një zëvendësues të përshtatshëm.

Thuhet se edhe vet Muriqi ka shprehur dëshirë për të bashkëpunuar me Mourinhon. Por edhe lojtari preferon që fillimisht ta fitojë titullin e kampionit me Fenerbahçen para se të largohet nga kampionati turk.

Gjiganti turk i kërkon 25 milionë euro për kartonin e futbollistit.

Muriqi i ka shënuar dhjetë gola dhe ka dhuruar tri asistime në 16 ndeshje këtë edicion në Superligën turke.

Edicionin e kaluar, Muriqi i kishte realizuar 17 gola dhe tetë asistime në 34 ndeshje kampionale në Turqi me Rizesporin.