Muriqi e Musljia optimistë në fitore ndaj Izraelit: Do ta bëjmë historinë bashkë

Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar sot stërvitjen e radhës në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e ciklit kualifikues drejt Kampionatit Evropian Euro 2024.

Ditën e djeshme trajneri i kombëtares, Alain Giresse kishte në dispozicion vetëm 11 futbollistë, në krahasim me sot që kishte në dispozicion të gjithë futbollistët e grumbulluar, raporton KosovaPress.

Giresse kishte mundësinë që të shpalos sot të gjitha skemat e lojës për ndeshjen e parë kundër Izraelit, të cilën “Dardanët” e zhvillojnë më datën 25 të këtij muaji në stadiumin “Bloomfield” të Tel Avivit.

Pjesë e stërvitjes sot ishte edhe ylli i Mallorcas, Vedat Muriqi, i cili tha se gjasat janë të mëdha për kualifikim tutje në Euro 2024. Po ashtu, Muriqi tha se në Izrael “Dardanët” shkojnë për fitore, dhe se me shokët e tij brenda fushës do ta bëjnë historinë bashkë.

“Jemi duke u përgatitur me optimizëm prej ditës së parë. Jemi me fat që kemi lojtarë në formë. Grupi ynë nuk është i lehtë por kemi gjasa të mëdha për kualifikim. Gjithsesi nuk mjaftojnë vetëm fjalët, por këtë duhet ta bëjmë edhe me punë brenda fushës dhe jashtë fushës. Mendoj që kemi kualitet për dy pozitat e para që na e sigurojnë kualifikimin në Evropian”, tha Muriqi.

“Me përkrahjen e tifozëve dhe të shtetit tonë, besoj se me shokët e mi brenda fushës do t’ia arrijmë qëllimit dhe do ta bëjmë historinë bashkë. Shumica e lojtarëve janë që kanë shumë minutazh në ekipet e tyre dhe janë në formë të shkëlqyeshme, prandaj sigurisht që kjo do të vërehet që nga ndeshja e parë. Normalisht duhet edhe pak fat, por do të shkojmë në Izrael për fitore”, shtoi më tej sulmuesi kosovar.

Synimin e njëjtë sikur Muriqi e kishte edhe Florent Muslija, i cili tha se kundër Izraelit pret ndeshje të mirë dhe fitore sepse skuadra e ka kualitetin, ndërsa mesfushori i Paderbornit kishte edhe një mesazh për tifo-grupin “Dardanët”.

“Pres shumë nga ky cikël kualifikues. Mendoj se i kemi mundësitë shumë të mira për të arritur në Evropian. E kemi ekipin shumë të fortë dhe shpresoj se do të arrijmë maksimumin. Atmosfera është fantastike dhe sigurisht se të gjithë jemi të lumtur që jemi këtu. Shpresoj se do të arrijmë të kallxojmë veten për vendin tonë. Kundër Izraelit pres një ndeshje shumë të mirë dhe jam optimist se do ta fitojmë ndeshjen sepse e kemi kualitetin. Mesazhi për Dardanët? I falënderoj të gjithë ata që po na përkrahin dhe shpresoj se do t’i sjellim pikët e plota në Kosovë”, tha Muslija.

Kosova do të vazhdojë me përgatitje edhe nesër, ku trajneri Giresse ka planifikuar të zhvillohen dy seanca stërvitore.