Arijanet Muriçi e ka fituar trofeun e tij të parë në karrierë me Manchester City pas triumfit kundër Chelseat në Carabao Cup të dielën në Wembley.
Edhe pse për numrin një të portës së ekipit kombëtar të Kosovës e diela nisi keq dhe në mënyrë dëshpëruese, sepse Pep Guardiola befas e la në stol Muric duke ia besuar portën zgjedhjes së tij të parë Edersonit – i cili ka qenë startues i rregullt në këtë turne – 20-vjeçari megjithatë i gëzohet trofeut të parë këtë sezon me të kaltrit.
Në fakt, Muric është ndër më meritoret për trofeun e parë të Manchester Cityt këtë sezon, pasi ndikimi në rrugëtimin e të kaltërve deri në finale ka qenë i jashtëzakonshëm.
Shqiptari nga Mali i Zi e ka pranuar vetëm një gol në pesë paraqitjet e tij për Cityn në Carabao Cup.
Ai ishte heroi i skuadrës së Pep Guardiolës në fitoren më të vështirë në këtë turne këtë sezon, kur i priti dy penallti gjatë ekzekutimit të penalltive në çerekfinale kundër Leicester Cityt.
Ky është trofeu i parë për përfaqësuesin e Kosovës me Cityn këtë sezon, por ai mund ta mbyllë edicionin me katër sosh, për shkak se gjiganti anglez është në garë për trofe edhe në Ligën e Kampionëve, Premierligë dhe FA Cup.
Muriçi ka pozuar me trofeun e tij të Kupës së Ligës, përkrah numrit një të Cityt, Edersonit.








