Ministri i Financave

Murati thotë se ekonomia “ka vazhduar rritjen”, Rukiqi: Ja si manipulon i paafti, qytetarët po varfërohen

Ministri i Financave, Hekuran Murati publikoi një grafik duke shkruar se ekonomia e vendit “ka vazhduar rritjen”, gjë që sipas tij dëshmon për “qëndrueshmëri të bizneseve tona përballë sfidave të njëpasnjëshme”. Atij i reagoi anëtari i Kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi, i cili e quajti ministrin të paaftë dhe deklarimin e tij mashtrim.

Murati u thirr në të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ndërsa tha se rritja reale e ekonomisë vjet ishte 3.98%.

“Ekonomia e vendit ka vazhduar rritjen edhe në tremujorin e katërt gjatë vitit të kaluar, duke dëshmuar qëndrueshmëri të bizneseve tona përballë sfidave të njëpasnjëshme. Sipas ASK-së, për TM4 2023 rritja reale e ekonomisë ishte 3.96%, gjë që ishte në linjë edhe me pritjet tona”, shkroi ai.

Ministri publikoi një grafik, i cili sipas tij shfaq krahasimin e performancës ekonomike të vendit ndër vite.

“Në grafikun më poshtë mund të shihni edhe krahasimin e performancës ekonomike të vendit nëpër vite. Përderisa me qeveritë e kaluara për 3 vite ekonomisë i shtoheshin vetëm 1 miliardë euro, me Qeverinë Kurti për periudhën e njëjtë ekonomisë i janë shtuar 2.9 miliardë euro, apo mesatarisht gati 1 miliardë në vit”, shkroi ai.

Rukiqi i LDK-së, tha se ministri po manipulon në krahasimin e viteve.

“Ja si manipulon një i paaftë i pushtetit. Një vit me recesion (rritje negative ekonomike), me aktivitet të pëergjysmuar ekonomik, e krahason me një vit me inflacion, me rritje çmimesh, rrjedhimisht me qarkullim të rritur, jo nga rritja reale e aktivitetit ekonomik, por nga rritja e çmimeve, në kurriz të qytetareve të vendit”, shkroi Rukiqi, duke shpërndarë postimin e Muratit.

Rukiqi tha se qytetarët po varfërohen dhe nuk po mund ta përballojnë jetën e shtrenjtë.

“Ministër,, qytetarët në hall, po marrin kredi dhe mbitërheqje në banka, me norma të larta të interesit, për të përballuar shpenzimet. Mbi 30000 qytetarë i janë shtuar listës të të varfërve. Këta qytetarë që nuk mund të përballojnë jetën e shtrenjtë, do të duhej të ishin brenga jpte, e jo manipulimi me grafikone. Fatkeqësisht, për vendin dhe qytetarët, ti je ndër të paaftit e shumtë në këtë qeveri”, shkroi Rukiqi.