Munishi: Unë i përshtatem edhe Barcelonës, Dritës ia dhamë veç 1 gol sepse na respektoi

Trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi, beson se fitorja 1:0 kundër Dritës në derbin kryesor në Superligë dëshmon se Gjilani është skuadër kampione dhe se meriton të respektohet.

Albert Dabiqaj e shënoi golin e vetëm dhe vendimtar në fillim të pjesës së dytë në Stadiumin e Qytetit në Gjilan për tri pikët e plota të kuqebardhëve ndaj rivalit direkt për titull.

Ky ishte triumfi i dytë radhazi dhe në përgjithësi i Munishit në Derbin e Anamoravës, pasi Gjilani e tij e kishte mundur Dritën 2:0 edhe në ndeshjen e parë të këtij sezoni në Superligë.

Duke folur pas ndeshjes, Munishi tha: “Fitoren ia kushtoj tifozëve. Ne kemi treguar fuqi të madhe këtë kampionat. Të them të drejtën e meriton klubi i Gjilanit, jemi klubin i organizuar shumë mirë dhe meritojmë respekt. Kjo është skuadra kampione, kështu luftohet me këtë qasje me këtë lojë, sot kemi pas përballë skuadër shumë të fortë.”

47-vjeçari beson se Gjilani ka nevojë për të paktën një futbollist për t’u kompletuar në garë për titull.

“Unë i përshtatem edhe Barcelonës, kur e kam skuadrën e mirë i shënoj edhe pesë gola. Sot kundërshtari na respektoi dhe vendosëm t’ia japim vetëm një gol.”

Ai shtoi: “Këtij ekipi i mungon vetëm një futbollist apo dy për ta rritur konkurrencën dhe i duhet një fazë përgatitore… por edhe kështu po ia dalim sepse kemi individë të fortë.”

Gjilani ishte ekip më i mirë në përgjithësi dhe krijoi më shumë se vizitorët për ta merituar fitoren.

Gerhard Progni i kishte dy mundësi shumë të mira për të shënuar nga goditja e dënimit, derisa njërën ia priti portieri i Dritës Maloku, tjera përfundoi pak mbi shtyllën horizontale.

Por në fund të fundit, Drita ka mundur ta shmangte disfatën dhe të dilte me një pikë nga ky derbi, sikur Marko Simonovski të mos dështonte në portën boshe në minutën e 80-të.

Fitorja nënkupton se Gjilani tani mbledh 28 pikë nga 15 ndeshje dhe vijon të jetë lider i Superligës.

Ballkani, i cili e mundi 2:0 Malishevën në ndeshjen tjetër, kthehet në pozitën e dytë me 27 pikë.

Drita bie në vendin e tretë me 25 pikë, tri më pak se lideri.