Munishi i përgjigjet FFK-së: Këqyrini punët e juaja

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, i ka kundërshtuar pretendimet e Federatës së Futbollit të Kosovës se klubet po ankohen për referim me qëllim për ta shtuar presionin mbi kryetarin Agim Ademi. Munishi thotë se presidentët vetëm duan t’i mbrojnë investimet e tyre.

Naser Ramaj i Feronikelit, Arsim Kabashi i Ballkanit dhe Beqir Batatina i Llapit janë ankuar se investimet e mëdha të tyre po zhvlerësohen nga referimi skandaloz dhe tendencioz, duke e fajësuar edhe FFK-në.

Ata u kanë bërë thirrje edhe klubeve tjera elitare që t’u bashkohen në iniciativën për ta menaxhuar vet IPKO Superligën, pa përzierje të shtëpisë së futbollit e Ramaj ka shkuar aq larg sa që ka deklaruar se në Kosovë gjyqtarët po i shesin ndeshjet me çmime prej 3 mijë deri në 5 mijë euro.

Pas këtyre akuzave reagoi Federata e Futbollit e Kosovës, duke thënë se qëllimi i këtyre klubeve është të bëjnë presion mbi kryetarin e Federatës, Agim Ademin, pasi që pretendimet e tyre janë të pabaza.

“Qëllimi i tyre është i qartë. Ata duan t’i bëjnë presion kryetarit të FFK-së, Agim Ademit. Ne u sugjerojmë që t’i presin zgjedhjet dhe ta lënë njeriun të punojë sepse është duke punuar shumë mirë me gjithë ne të tjerët që jemi në krye të FFK-së”, është shprehur sekretari i FFK-së, Eroll Salihu për Gazetën Express.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar edhe trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, në emision sportiv “Favorit” në T7, duke thënë se askush nuk po tenton t’ia marrë Ademit postin e trajnerit, por se presidentët e klubeve duan t’i mbrojnë investimet e tyre.

“Ata [drejtuesit e FFK-së] është dashur të ulen e të bisedojnë me kryetarët e klubeve për ta kuptuar se ku qëndron problemi. Në moment që ata dalin apriori që dikush po mundohet… asnjë president që unë e njoh s’ka pretendime për t’u bërë kryetar i Federatës. Kjo nuk qëndron”, ka thënë Munishi në “Favorit”.

“Presidentët dëshirojnë t’i mbrojnë investimet e tyre, normalisht që dëshirojnë. Dikush që investon në futboll dhe dikush që mundohet shumë nuk lejon që dikush tjetër të bëjë shaka me të. Duhet të kenë kujdes”.

“Mirëpo, te në është krijuar një standard i tillë dhe është krijuar një trend i tillë që në momentin që dikush ankohet, menjëherë ata e marrin që dikush është kundër Federatës. Më mirë është që ata t’i këqyrin punët e veta dhe të jenë më korrekt. Ata mund t’i ruajnë pozitat e tyre vetëm me korrektësi”.