Munishi akuzon gjyqtarët për humbjen ndaj Prishtinës

Siç është bërë tashmë traditë në futbollin e Kosovës, edhe për duelin Prishtina – Ballkani, trajneri i skuadrës humbëse ka pasur kritika për gjyqtarët. Ismet Munishi ka akuzuar gjyqtarin Tefik Maloku se ka akorduar penalti të paqenë për Prishtinën në minutat e fundit.

Pikërisht me një gol nga penaltia në minutat e fundit, klubi nga kryeqyteti arriti të marrë tri pikët e radhës. Golin nga penaltia e shënoi Besnik Krasniqi, për rezultatin përfundimtar 2:1.

Pas takimit, Munishi ka thënë se “edhe sivjet po bëhen padrejtësi”.

“Referimi s’ka qenë i mirë, pasi ishte luftë në 16-metërsh, plus ishte minuta e 90-të, ishte derbi. Është koha e fundit që të ndalen këto gjëra, pasi edhe vjet e humbëm titullin kështu. Prishtina luajti mirë, patën rastet e tyre, ne tonat, por kur gjyqtari vendos të bëhet protagonist kështu është”, ka thënë ai.

Sipas Munishit, po të ishte referimi në rregull, Ballkani do të kishte gjashtë pikë më shumë në tabelë.

Ballkani i Munishit mbyll stinorin vjeshtor si i dyti në Superligë me 38 pikë pas 17 ndeshjeve. Kampion vjeshtor mbetet Drita me një pikë më shumë, por edhe një ndeshje më pak të zhvilluar. Prishtina është e treta me 31 pikë në 17 ndeshje.