Ish-sindikalisti i zëshëm i RTK-së, Fadil Hoxha, tash i kthyer në një zyrtar të heshtur, përveç detyrës së tij të deritashme, do ta ketë edhe një punë shtesë.

Ai do ta këshillojë U.D drejtorin e Përgjithshëm të RTK-së, njëherësh shokun e tij të ngushtë, ish-kolegun e Sindikatës, Hysen Hundozin.

Nacionale kishte raportuar për këtë vendim javë më parë, dhe i njëjti po zbatohet.

Fadil Hoxha që dikur kritikonte gazetarët e RTK-së për qasjen promovuese ndaj pushteteve të kaluara, nuk e tha asnjë fjalë për intervistën përkëdhelëse të Blerim Haxhiajt me Kurtin. Heshti edhe kur RTK-ja publikoi lajm të rrejshëm, kinse dy media të Kosovës financohen nga Serbia.

Në bazë të vendimit që Radiotelevizioni i Kosovës ia ka dërguar Nacionales, konfirmohet se Fadil Hoxha përveç punës si Udhëheqës i Skemës Programore dhe MCR-së, po e këshillon ‘dostin’ e tij, Hysen Hundozin.

Vendimin e kanë arsyetuar me disa nene, ligje e udhëzime, por që në asnjërën prej tyre, nuk ekziston pozita e këshilltarit të drejtorit. Madje, Statuti i RTK-së, Rregullorja për Kompetenca e Përgjegjësi, flasin kryesisht për kompetencat e Drejtorit të Përgjithshëm.

“Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së ka këto kompetenca, përgjegjësi dhe detyra: menaxhon veprimtarinë e RTK-së në pajtim me këtë ligj dhe me statutin e RTK- si dhe me Kodin Etik të RTK- së”, thuhet aty.

As ligji e as rregulloret e RTK-së nuk parashohin asnjë pozitë të këshilltarit apo ndihmës-drejtorit. Sidoqoftë, vendimi tashmë po zbatohet, edhe pse është nënshkruar nga U.D Drejtori i Përgjithshëm, të cilit Bordi i RTK-së e pranoi edhe vetë, që ia kanë vazhduar mandatin jashtëligjshëm pasi nuk kanë kuorum.

Edhe më interesant është arsyetimi. Aty, Hysen Hundozi, thotë se ka nevojë për ndihmë e këshillim, dhe ka munegsë të stafit mbështetës për U.D Drejtorin.

“Për shkak të nevojës së shtuar të U.D Drejtorit të Përgjithshëm për ndihmë dhe këshillim në kryerjen e detyrave dhe obligimeve që ka, gjithmonë duke pasur parasysh mungesën e stafit të mjaftueshëm mbështetës për U.D Drejtorin e Përgjithshëm, si dhe duke pasur parasysh njohurit dhe përvojën shumëvjeçare të të punësuarit që nga themelimi i RTK-së”, thuhet në vendim.

Megjithatë, dy ish-udhëheqësit e Sindikatës, tash pushtetarë në RTK, kanë harruar se ata kanë qenë në ballë të kritikave për numrin e madh të punëtorëve dikur. Tash, po thonë se nuk ka staf!

Si rezultat, me këtë vendim, përveç pagës së majme bazë, Fadil Hoxha do t’i ketë edhe gati 400 euro bruto shtesë.

Hundozi ka vendosur ta kompensojë mikun e tij me dy koeficientë, në kohën kur vetë ankohen që kanë probleme financiare.

Hoxha kishte gënjyer publikisht duke thënë se Nacionale ka kërkuar kontratën e tij të punës, përderisa me pyetjet e dërguara, konfirmohet se gazeta kërkoi bazën ligjore të vendimit.

Sidoqoftë, hallakama në RTK nuk ka të ndaluar. Intervistuesi i Kurtit u takua me zëdhënësin e VV-së, Arlind Manxhuka, veç pak ditë pas intervistës.

E U.D drejtorit të Përgjithshëm, Hysen Hundozit, Bordi i RTK-së, edhe vetë e pranoi se ia vazhduan mandatin jashtëligjshëm. /Nacionale