Mungesa e papritur e Kastratit në derbin kroat. A u dënua ylli kosovar nga trajneri?

Lirim Kastrati të enjten shkëlqeu për Dinamon e Zagrebit. Ai realizoi gol dhe asistoi në fitoren 3:1 të Dinamos ndaj CSKA Moskës në Ligën e Evropës. U përfshi në ekipin më të mirë të xhiros në Ligën e Evropës.

Por papritur ai të dielën nuk ishte fare në ekip të Dinamos për derbin e kampionatit kroat ndaj Rijekës. Ndeshja u mbyll 2:2, ndërsa Kastrati nuk ishte fare në formacion.

Gazeta e njohur kroate, Sportske Novosti, duke u thirrur në burime të saj, ka njoftuar se Kastrati ishte i dënuar për atë ndeshje nga trajneri i Dinamos, Zoran Mamiq. Sulmuesi i krahut do të kthehet në ekip për ndeshjen e së mërkurës ndaj Rudeshit.

“Në Rijekë nuk ishte Lirim Kastrati. Natyrisht në fillim ishte menduar se bëhet fjalë për ndonjë lëndim të lehtë apo ftohje, asgjë të pazakontë. Por të hënën kemi dëgjuar se atë Zoran Mamiqi nuk e mori në Rijekë, pasi Kastrati ka thyer rregulloren disiplinore. Çka saktë ka bërë apo nuk ka bërë, nuk e dimë. Supozojmë se nuk i është përmbajtur ndonjë rregulle strikte të sjelljes. Por si kemi kuptuar, nuk ka bërë ndonjë shkelje të rëndë, ndonjë gjë që statusi t’i rrezikohet për kohë më të gjatë. Bëhet fjalë për një qortim për atë ndeshje. Kastrati pritet të jetë në ekip për ndeshjen për Kupë ndaj Rudeshit”, ka shkruar Sportske Novosti.