Gjykata Themelore në Prishtinë

Mungesa e pajisjeve teknike, shkak i dështimit të disa seancave në Gjykatën Themelore në Prishtinë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë disa seanca gjyqësore po dështojnë të mbahen si pasojë e mungesës së pajisjeve teknike.

Një seancë e tillë dështoi të mbahet të premten e 16 shkurtit 2024, në rastin ndaj ish-zyrtarit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) Muhamed Krasniqi, pasi munguan pajisjet teknike për dëgjim të dëshmitarëve.

Kjo dukuri po paraqitet në Departamentin Special dhe atë për Krime të Rënda.

Në gjykimin e lartpërmendur ndaj Krasniqit, ishte paraparë dëgjimi i dëshmitarit Agim Krasniqi përmes video-linkut, mirë po me të filluar seanca, gjykatësi i rastit Naser Foniqi, njoftoi se dëgjimi i dëshmitarit është i pamundur.

Krejt kjo pasi që nga zyrtari i IT-së së gjykatës është thënë se nuk posedojnë pajisjen për dëgjimin e dëshmitarit dhe se pajisjet momentale të gjykatës shërbejnë vetëm për dëgjimin e dëshmitarëve të mbrojtur.

Njëjtë ndodhi edhe në seancën e 30 janarit 2024 ku për shkaqe teknike kishte dështuar të mbahet gjykimi ndaj të akuzuarit Lavdim Sllamniku për veprën penale “Shpëlarje parash”, pasi që ishte planifikuar të dëgjohej dëshmitari anonim A1.

Edhe këtu, sipas gjykatësit të rastit Musa Konxheli nga zyrtarë të IT-së i është thënë se është e pamundur tash për tash dëgjimi i dëshmitarit përmes video-linkut sepse gjykata nuk e ka të rregulluar sistemin për dëgjimin e dëshmitarëve anonim.

Në gjykimin e njëjtë, edhe seanca e datës 18 dhjetor 2023 kishte dështuar të mbahet me po të njëjtat arsye.

Po ashtu, edhe në rastin e njohur si “Subvencionet 1”, kur ishte planifikuar dëgjimi i një dëshmitari përmes video-linkut, është dashur të kalohet radha te administrimi i provave, pasi gjykatësi i rastit Kujtim Krasniqi theksoi se gjykata ende nuk posedon pajisjet adekuate.

Tutje, edhe gjykimi i rastit të vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq, i datës 1 gusht 2023 kishte dështuar të mbahej dhe krejt kjo për shkaqe teknike.

Sipas gjykatësit të rastit Valon Kurtaj, në pamundësi teknike për lëshimin e video-incizimit në gjykatë, ishte i pamundur mbajtja e shqyrtimit gjyqësor ashti siç ishin dakorduar palët paraprakisht.

Dështimi i seancës në mungesë të pajisjeve për dëgjim të dëshmitarëve kishte nodhur edhe më 29 mars 2023 në rastin ndaj ish-kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media, Luan Latifi.

Sipas gjykatësit të rasti Alban Ajvazi, nga zyrtarët e IT-së i ishte bërë me dije se dëshmitari nuk mund të dëgjohet përmes video-linkut pasi që nuk ka pajisje për dëgjimin e të njëjtit.

Lidhur me këtë situatë, “Betimi për Drejtësi” ka dërguar pyetje në këtë Gjykatë për të kuptuar fillimisht se sa seanca kanë dështuar në mungesë të këtyre kushteve, si dhe prej kur është shfaqur ky problem e se çfarë veprimesh ka ndërmarrë gjykata për sanimin e kësaj rrethane.

Në përgjigjen e Gjykatës, thuhet se tashmë Këshilli Gjyqësor i Kosovës është në procesin e hartimit të një rregulloreje për lëshimin në përdorim të pajisjeve të reja për dëgjimin e dëshmitarëve dhe se pajisjet e vjetra janë larguar pasi që është dashur të vendosen të rejat.

Ndryshe, aplikimi i video-lidhjes nëpër shtetet evropiane po bëhet jo vetëm për sigurimin e dëshmitarëve në procedurë, por edhe për sigurimin e të akuzuarit dhe atë edhe brenda për brenda shtetit.

Një praktikë e tillë e këtyre shteteve, ka dalë të jetë mjaftë efikase për administrimin e drejtësisë, duke ndikuar në zvogëlimin e dështimit të proceseve gjyqësore qoftë kjo në mungesë të dëshmitarëve apo edhe të të akuzuarve në proceset gjyqësore.

VIDEO BONUS: LDK e AAK thirrje Qeverisë: Çështjet e brendshme të Kosovës s’duhet të diskutohen me Serbinë