Hekurudhat

Mungesa e investimeve shkak që transporti hekurudhor nuk përdoret në Kosovë

Numri i vogël i linjave, mungesa e investimeve në trenat e udhëtarëve dhe problemet që kanë pasur me ngrohje e ndriçim, kanë bërë që numri i udhëtarëve në Kosovë që përdorin trenin si mjet transporti të shënojë vazhdimisht rënie.

Në rënie të këtij numri ka ndikuar edhe numri i kufizuar i linjave, pasi aktualisht në Kosovë operojnë vetëm 6 trena, të cilët mbajnë dy linja – një për Pejë dhe një për Han të Elezit.

Hekurudhat e Kosovës menaxhohen nga dy kompani, Infrakos që merret me menaxhimin e infrastrukturës dhe Trainkos që merret me transportin.

Zyrtarë të kësaj të fundit thonë se në dy linjat që operojnë ka frekuentim solid të udhëtarëve.

Drejtori për Zhvillimin e Bizneseve në Trainkos, Liridon Drenica, për KosovaPress ka thënë se një kohë janë përballur me shumë probleme dhe vonesa të mjeteve lëvizëse, që kanë ndikuar që qytetarët të humbasin besimin në transportin hekurudhor.

Përkundër numrit të vogël të linjave, Drenica thotë se ofrojnë beneficione të shumta për ata që zgjedhin të udhëtojnë me tren, ku këtu hyjnë lirimet nga pagesa.

Ai ka bërë të ditur se nga pagesa e biletës lirohen të gjitha kategoritë e dala nga lufta, rastet sociale, ndërsa zbritje në bileta përfitojnë edhe studentët, të cilët paguajnë 50 për qind më pak. Çmimi më i lartë që një udhëtar mund të paguajë brenda vendit është 3 euro.

Kryeshefi ekzekutiv i Infrakosit, Agron Thaçi, ka thënë se janë në procedura për fillimin e investimeve në rrjetin ekzistues hekurudhor.

Sipas tij, kjo ndërmarrje menaxhon edhe me stacionet e trenave, që aktualisht janë në gjendje jo shumë të mirë.

Thaçi thotë se stacionet janë të amortizuara dhe nuk është investuar me vite të tëra.

Trainkos përveç transportit të udhëtarëve, shërbim e ka edhe transportin e mallrave.

Drejtori për Zhvillimin e Bizneseve në Trainkos, Liridon Drenica,  ndër tjerash, ka bërë të ditur se operojnë vetëm për një linjë ndërkombëtare – kanali përmes Maqedonisë.

Kosova ka pasur edhe një kanal tjetër ndërkombëtar që ka qenë përmes veriut të Kosovës, por që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, kjo linjë është mbyllur.

Trainkos realizon dy vija të rregullta për Maqedoni, ku çdo ditë operojnë dy trena për transportin e mallrave.

Me gjithë problemet që përballen hekurudhat e Kosovës, edhe sot ka udhëtarë që përdorin trenin.

Qytetarët që kishin zgjedhur të udhëtojnë nga Peja për në Prishtinë, thonë se e kanë zgjedhur trenin për shkak të sigurisë që ofron.

Studenti Mujë Krasniqi thotë se me investimet e fundit që janë bërë, udhëtimi me tren është bërë shumë atraktiv.

Edhe Bedri Gashi thotë se treni i ofron komoditet më të madh se mjetet e tjera të transportit.

Transporti hekurudhor vlerësohet nga njohësit e fushës si një nga linjat më të mira të transportit rrugor, me përparësi siç është siguria më e madhe në krahasim me mjetet tjera, çmimi më i lirë dhe ndotja më e vogël e mjedisit. /KosovaPress/