Mulhaxha pasi u pushua nga puna në MD: Fajin më të madh e kam që jam vëllai i deputetes

Ilir Mulhaxha ka njoftuar është pushuar nga ushtrimi i funksionit të përmbaruesit privat “përmes Facebook-ut të zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu”.

Ai tha se nuk ka pranuar ende vendimin e komisionit dhe nuk e di për cilat shkelje ligjore pretendohet që çuan në këtë situatë.

“Gjithashtu, ende deri në ditën e sotme nuk e kam parë procesverbalin e seancës dëgjimore, të cilin Ministria ende nuk ma ka dorëzuar që ta nënshkruaj dhe të njëjtin ta pranoj. Me bindje të plotë deklaroj se unë si përmbarues privat, që ushtroj këtë profesion për më shumë se 8 vite, fillimisht në një institucion prestigjioz bankar dhe disa vite si përmbarues privat, deri tani nuk më është shqiptuar asnjë vërejtje, përkundrazi jam vlerësuar si një ndër përmbaruesit më të suksesshëm në Kosovë”, shkroi ai në Facebook.

Mulhaxha deklaroi se nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore deri më tani.

“Me përgjegjësi të plotë morale dhe ligjore deklaroj se nuk kam bërë asnjë shkelje ligjore por vetëm kam zbatuar vendimet e formës së prerë të gjykatës deri tani. Këtë gjë e kam dëshmuar deri tani vetëm përmes procedurave ligjore, si në rastin e parë, dhe do të vazhdoj njëjtë, mirëpo ngarendja e përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë për të bërë gjyqësinë përmes Facebook-ut, jam i detyruar që dhe unë tash e tutje ta ndjek rrugën edhe përmes mediave”, shtoi ai.

Krejt në fund, ai u shpreh se fajin më të madh për këtë gjendje e ka që është vëllai i deputetes së LVV-së, Fatmire Mulhaxha Kollçaku.

“Po, unë kam vetëm një faj, që ushtroj profesionin e përmbaruesit privat, mirëpo si duket fajin më të madh e kam që jam vëllai i deputetes”, përfundoi ai.

Ndërkohë, sot zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për pushim nga puna të Mulhaxhës.

Sipas Sallahut, Komisioni Disiplinor për Përmbarues Privat ka gjetur se i njëjti gjatë kryerjes së veprimeve përmbarimore në kuadër të aktivitetit të tij, nuk iu ka përmbajtur ligjit, në lëndën e përmbarimit.

“Sapo kam nënshkruar vendimin për pushim nga detyra të përmbaruesit privat z. Ilir Mulhaxha. Komisioni Disiplinor për Përmbarues Privat ka gjetur shkelje disiplinore pasi që i njëjti gjatë kryerjes së veprimeve përmbarimore në kuadër të aktivitetit të tij, nuk iu ka përmbajtur ligjit, në lëndën e përmbarimit, dhe si rrjedhojë është shqiptuar masa disiplinore, shkarkim nga detyra”, ka shkruar Sallahu.