Ish lojtari i United

Muhren këshillon dyshen e Ajaxit të kalojë te Manchester United

Ish lojtari holandez i Manchester United, Arnold Muhren beson se dy bashkëkombasit e tij që luajnë për Ajaxin, Matthij de Ligt dhe Frenkie de Jong mund të aktivizohen te “Djajtë e Kuq”.

de Ligt dhe de Jong janë futbollistët më premtues që ka nxjerrë Ajaxi në kohët e fundit, ndërsa për dyshen janë interesuar dhe Barcelona e Manchester City.

Muhren mendon se që të dy e sidomos de Ligt do të mund të përshtateshin në “Old Trafford”.

“Frenkie de Jong dhe Matthijs de Ligt janë në gjendje të luajnë pa asnjë problem për Unitedin. Ata kanë provuar shumë qendër mbrojtës kohë e fundit, pse mos të mund të luajë edhe de Ligt? Ai është dëshmuar se është mjaftueshëm i mirë dhe mund të përmirësohet ende pasi që është i ri. Do të kishte fituar më shumë përvojë te Unitedi. Ata ende janë në kërkim të qendër mbrojtësit ideal, dhe de Ligt do të sillte dritë për ta, përveç tjerash do të siguronin atë pozitë për një kohë të gjatë”, theksoi Muhren.

Muhren pati kritika për trajnerin e Manchester United, Jose Mourinhon teksa tha se Louis Van Gaal ishte më i suksesshëm se portugezi.