MTI: S’ka asnjë marrëveshje me BIK-un dhe komunën e Prishtinës për shërbimet e funeraleve

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka njoftuar se nuk ka asnjë marrëveshje me Bashkësinë Islame të Kosovës dhe Komunën e Prishtinës lidhur me shërbimet e funeraleve.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, MTI ka thënë shërbimet e tilla nuk rregullohen në fushë veprimtarinë e MTI-së dhe as nuk janë kompetencë e saj.

“Shërbimet e tilla nuk rregullohen në fushëveprimtarinë e MTI-së dhe as nuk janë kompetencë e saj. Andaj ky mund të jetë ndonjë gabim teknik nga ana e mediave raportuese sa i përket përfshirjes së MTI-së”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, kompanitë funerale përmes një proteste simbolike kanë akuzuar BIK-un për monopol në kryerjen e shërbimeve të funeraleve.

Përfaqësuesi i kompanive funerale, Blerim Nreci në një konferencë për media, renditi vendimet që sipas tij janë joligjore nga ana e BIK-ut.

“Komuna e Prishtinës i ka dhënë BIK-ut hapësirë që të krijojë biznes në funeralet me të vdekurit, në shitjen e arkivoleve dhe dërrasave. Kërkoj nga komuna t’i ndalë këto. BIK vetëm me dëftesa i rimburson qytetarët, ndërsa ne paguajmë tatim dhe lëshojmë kuponë fiskalë. Për këtë, të hyrat janë 35 mijë euro në muaj për BIK-un. Është e padrejtë që një kult fetar të bëjë këtë. Ne kemi të gjitha mundësitë për të bërë këtë shërbim, me vetura me cilësitë më të larta. BIK-u ka monopol në gjithë Kosovën për këtë shërbim”, tha ai.

Ai po ashtu, ka bërë të ditur se ka dy vjet që nuk e kryejnë këtë shërbim në kryeqytet, por vetëm në qytetet regjionale.

Ndërkaq, tha se në gjithë këtë periudhë vetëm një herë janë takuar me kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili sipas tij nuk ka dhënë asnjë premtim për përmirësim të situatës.

loading…