MSH-ja konfirmon se në Shqipëri nuk ka asnjë rast me koronavirusin e ri

Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë informon se në mbrëmjen e sotme ka përfunduar testimi i pesë rasteve të dyshuara për koronavirusin COVID-19, të cilat kanë rezultuar negative.

Kjo ministri konfirmon se deri në këto momente, nuk ka raste të konfirmuara të koronavirusit COVID-19 në Shqipëri dhe janë testuar gjithsej 13 raste të dyshuara, me histori udhëtimi me vendet e prekura nga shpërthimet komunitare të koronavirusit.

Ndër të tjera, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Task Forca për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri, u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127, në rast të shfaqjes së çdo shqetësimi apo shenje klinike.

Ministria informon qytetarët se do të ofrojë informacione të përditshme, ashtu siç ka bërë deri më tani, në funksion të transparencës dhe informimit të publikut.