Real Betis e mbylli në mënyrën më të mirë sezonin me një fitore në “Bernabeu” kundër Real Madridit por i duhet të gjejë një trajner të ri.
Menjëherë pas ndeshjes trajneri Quique Setien që më herët gjatë sezonit kishte mposhtur edhe Barcelonën 3-4 në “Camp Nou”, njoftoi largimin nga drejtimi i skuadrës, vendim i ndarë së bashku me klubin.
Setien kishte edhe një vit kontratë por sezoni jo në lartësinë e duhur bëri që palët të arrinin një akord për përfundimin e bashkëpunimit teksa 60-vjeçari përshëndeti tifozët dhe drejtuesit për 2 vite shumë të mira që kanë kaluar në Andaluzi.







