MPMS reagon pas kallëzimit penal nga punëtorja e tyre: Mori rrogë 3 vjet pa ardhur farë në punë

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka reaguar pas publikimit të postimit të zyrtares së kësaj ministri, Njomëza Ibishi-Zogaj, lidhur me kallëzimin penal ndaj shtatë zyrtarëve të kësaj ministrie.

Gjatë orëve të pasdites së djeshme, në disa mediume elektronike është publikuar një shkrim, titulli dhe përmbajtja e të cilit kishte synim përbaltjen dhe denigrimin e shtatë zyrtarëve të niveleve të ndryshme të ish-Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ky shkrim është hartuar dhe shpërndarë në adresat e shumë mediumeve nga Njomëza Ibishi-Zogaj (punonjëse e kësaj ministrie), përmes portalit ‘Kosinfo.net’ portal ky që administrohet nga bashkëshorti i saj”, thuhet në reagimin e MPMS-së.

Sipas kësaj ministrie, ky reagim po bëhet në emër të Zyrës për Komunikim me Publikun të ish-Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për shkak të keqinformimit të publikut rreth, gjoja, ‘keqpërdorimit’ të detyrës zyrtare nga shtatë zyrtarë të përmendur me emër e mbiemër dhe fotografi në shkrimin tendencioz, i cili, fatkeqësisht është publikuar nga shumë mediume tjera pa përfillur etikën gazetareske (përjashto disa mediume që kanë fshehur identitetin e zyrtarëve të apostrofuar përmes inicialeve).

“Me qëllim të informimit të drejtë të publikut, i cili, duke mos e njohur figurën shantazhuese të Njomëza Ibishit-Zogajt, dhe duke mos qenë i njohur me ecurinë e zhvillimeve brenda institucionit, përmbajtja e shkrimit të djeshëm, në emër të zyrtarëve të MPMS-së të përmendur dhe të pasqyruar vizuelisht në mënyrë shumë joetike dhe të padrejtë, njoftojmë publikun se pohimet e shkruara nga autorja e shkrimit nuk përkojnë aspak me të vërtetën. Meqë brenda shkrimit përmendet ‘keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar’ nga kolegët e saj, e ndjejmë të nevojshme të ofrojmë sqarim se një ‘shkelje’ këtillë e pretenduar nuk mund të ndodhë nga kolegët e të njëjtit nivel. Mllefi i shprehur nga autorja e shkrimit lidhet me pakënaqësinë e saj që gjatë tri viteve të fundit, ishte ‘detyruar’ të merrte rrogë pa qenë fare e pranishme në vendin e punës, sepse komisioni disiplinor, i ngritur disa herë radhazi ndaj saj për mbjellje frike ndaj kolegeve, fyerje, denigrim, prishje të qetësisë në ambient pune, shantazhim, kërcënim fizik, etj., ishte treguar i mëshirshëm duke mos e larguar nga puna, siç ishte konstatuar nga ky komision sipas fakteve të mbledhura ndaj saj. MPMS-ja dhe të apostrofuarit padrejtësisht në shkrimin e djeshëm tendencioz, do të ngrisin padi ndaj Njomza Ibishit-Zogajt për shpifje, cenim të integritetit  dhe shkelje të privatësisë”, thuhet në fund të reagimit.

Punëtorja në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Njomza Ibishi Zogaj, sot ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ndaj shtatë zyrtarëve të kësaj ministrie.

Sipas Ibishi-Zogajt, të njëjtit kanë keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtarë, me ç’rast i kanë shkelur të drejtat e saja themelore të punës.

Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e plotë të saj:

Të bashkangjitur po ju dërgoj Kallëzimin Penal të dorëzuar sot nga unë (Njomza Ibishi Zogaj, punëtore në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale) në Prokurorinë Themelore të Prishtinës / Departamenti i Përgjithshëm. Ky kallëzim Penal është ushtruar ndaj 7 zyrtarëve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, të cilët varësisht nga pozitat e tyre Udhëheqëse dhe pozita të thjeshta zyrtare kanë keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtarë, me ç’rast mi kanë shkelur të drejtat e mija themelore të punës.

Ballafaqimi im ligjor me të lartpërmendurit ka filluar vite më parë, ku varësisht nga interesi dhe këndvështrimi i juaj në rast se është apo jo me interes publik, kërkoj nga ju edhe ta publikoni.