Mourinho thyen heshtjen pas shumë vitesh: “Nuk e shita unë De Bruynen”

Tani për tani, Kevin de Bruyne është një nga më të mirët në botën e futbollit.

Ai po e frymëzon Belgjikën në Kampionatin Evropian që do të sfidojë Portugalinë të dielën.

Sot, De Bruyne është edhe kandidat për “Topin e Artë”. Sidoqoftë, para se të tregojë aftësitë e tij te Wolfsburgu, nga ku u ble nga Manchester City, ai ishte pjesë e Chelseas.

Por, ai u largua në vitin 2014 nga “Stamford Bridge” për shkak të mungesës së minutave për 22 milionë euro. City e mori atë për 77 milionë në vitin 2015 dhe sot ai është më i miri.

Gjithmonë për atë shitje është kritikuar Jose Mourinho, i cili sot është kthyer të tregojë të vërtetën.

Duke folur për “talkSPORT”, Mourinho ka sqaruar: “Kevin është një lojtar i pabesueshëm, për momentin ai është një nga lojtarët më të mirë në botë, nuk ka dyshim për këtë. Historia ime me Kevin ishte argëtuese dhe, në fund të fundit, atij i ka ecur shumë mirë, natyrisht. Në fazën time të dytë në Chelsea, u nisëm për parasezon në Azi ku do të stërviteshim dhe luanim disa ndeshje. Kevin duhej të vinte me ne dhe pas turneut kishim vendosur që të huazohet, sepse donte të luanë çdo ditë, çdo minutë”.

“Kështu, ai bëri shumë presion për t’u larguar, donte të shkonte në Gjermani për t’u zhvilluar. Ishte vendimi i tij për t’u larguar dhe bëri aq shumë presion, sa që shtyri klubin t’ia plotësojë dëshirën dhe ta shesë”, arsyetohet trajneri i Romës.