Trajneri i Manchester United, Jose Mourinho ka thënë se Alexis Sanchez nuk synon të largohet nga “Djajtë e Kuq” këtë janar.
Kiliani u transferua në “Old Trafford” para 10 muajve si pjesë e shkëmbimit me Mkhitaryan, por që nga ajo kohë ka dështuar të tregojë veten te 20 herë kampionët e Anglisë.
Sanchez ka realizuar vetëm 1 gol në 11 paraqitje këtë sezon teksa shpesh ka qëndruar në bankën rezervë te United, sidoqoftë Mourinho është i bindur se ish lojtari i Barcelonës nuk do të largohet.
“Nuk mendoj, sepse ai nuk më ka thënë se dëshiron të largohet apo se nuk është i lumtur këtu. Ai po përmirësohet ashtu edhe si e gjithë skuadra. Kur Sanchez është në fushë e transmeton personalitetin e tij, dëshirën për të luajtur ndërsa mundohet të adaptohet me mënyrën e lojës tonë”, tha Mourinho.
Trajneri portugez i doli në mbrojtje edhe portierit të shumë kritikuar, David De Gea, teksa sipas Mourinhos këto kritika po bëhen nga njerëz të fortë duke iu referuar ish gardianit të Real Madridit, Iker Casillas.
“A e dini pse ai kritikohet në Spanjë? Sepse atje dikush i fortë po mundohet të rikthehet në kombëtare, por mendoj se është shumë e vështirë të realizohet kjo kur e keni portierin më të mirë në botë para jush”, përfundoi Mourinho.
Casillas dhe Mourinho gjatë javës iu rikthyen polemikave të së kaluarës të tyre te Real Madridi, me portierin spanjoll që zbuloi se do të kishte dashur të përballej më ndryshe me trajnerin e Unitedit, derisa ky i fundit e akuzoi anëtarin e Portos se shpërndante në media gjërat që ndodhnin te klubi madrilien.







