Ish trajnerit të Manchester Unitedit, Jose Mourinhos, nuk i bëri përshtypje stili i lojës së Ajaxit në ndeshjen e mbrëmshme kundër Tottenhamit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Ajaxi ishte duke e fituar përballjen me Tottenhamin bindshëm në pjesën e parë, me rezultat 2-0. Golat e shënuara nga Matthijs de Ligt dhe Hakim Ziyech ia dhanë klubit holandez epërsinë me rezultat të përgjithshëm 3-0.
Mourinho beson se Ajaxi duhej të kishte ndërruar taktikë për pjesën e dytë të ndeshjes. Sipas trajnerit portugez, klubi holandez duhej ta kishte shkëmbyer qasjen ofanzive me një më defanzive për t’u siguruar që e arrin kualifikimin në finale.
Mirëpo, në vend të kësaj, trajneri i Ajaxit, Erik ten Hag, nuk ndryshoi pothuajse asgjë dhe një het-trik i Lucas Mouras, përfshirë këtu golin në momentet e fundit të ndeshjes, bëri që Tottenhami ta zë vendin në finale më 1 qershor.
“Filozofia është ajo që e rrit një skuadër. Ti ke nevojë për një themel të tillë, ke nevojë për këtë filozofi, ke nevojë për një stil të lojës që i përshtatet lojtarëve që i ke dhe Ajaxi meriton lëvdata për këtë gjë”, ka thënë Mourinho.
“Por, futbolli është betejë sportive dhe në beteja ty të nevojitet strategji dhe fitore, veçanërisht në ndeshjet e rëndësishme. Ti ke nevojë që nganjëherë të shkosh kundër filozofisë tënde për ta fituar një ndeshje”.
“Gjëja bazike që e bën kur e ke epërsinë është që duhesh ta mbashë gjatë gjithë kohës baraspeshën, të mos bëhesh kurrë i pabaraspeshuar. Baraspesha fillon me vijën e mbrojtjes dhe me angazhimin edhe të lojtarëve të tjerë në këtë fazë”.
“Por, ata i qëndruan besnik filozofisë së tyre, ata luajtën në pjesën e dytë të ndeshjes sikur të ishin duke luajtur kundër Vitesse në ligën holandeze. Tottenhami ndryshoi, ata ishin me fat, i kishin zotat e futbollit me vete”.







