Portugezi

Mourinho thekson rëndësinë e trofeve në prag të përballjes me Liverpoolin

Trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho beson se trofetë e fituar duhet të jenë matës i suksesit, derisa skuadra e tij përgatitet të përballet me Liverpoolin në “Anfield”.

“The Reds” janë lider të Premier Leagues gjersa ende nuk e kanë provuar shijen e humbjes, ndërsa numërojnë 16 pik më shumë se “Djajtë e Kuq” që renditen në pozitën e 6-të pas 16 xhirove.

Sidoqoftë Klopp ka dështuar të fitojë trofe me Liverpoolin pas 3 viteve të kaluara, pavarësisht se ka shpenzuar shuma të konsiderueshme për të përforcuar skuadrën.

Mourinho që ka fituar Europa Leaguen dhe EFL Cup në sezonin e tij të parë te United, mendon se klubet duhet të gjykohen në bazë të titujve që i fitojnë.

“Mendoj se trofetë kanë rëndësi të madhe, veçanërisht kur keni potenical për të luftuar për suksese. Ndonjëherë nuk është shumë e mençur të bësh deklarata të tilla, por kur ke potenical nuk është e arsyeshme të fshihesh. Por Klopp ka thënë tashmë se synojnë triumfin në Premier League. Nuk ka të bëjë vetëm me shpenzimin dhe përforcimin e skuadrës, është më shumë se vetëm kaq”, theksoi Mourinho.

Manchester United përballet me një numër të madh të lojtarëve të lënduar për derbin me Liverpoolin, derisa deri më tani është konfirmuar mungesa e Sanchezit dhe Lindlofit, ndërsa në dyshim mbeten; Martial, Shaw, Smalling, Rojo dhe Darmian.

Super ballafaqimi Liverpool-Manchester United zhvillohet të dielën me fillim prej orës 17:00.