A është gati Jose Mourinho të kthehet në Serie A? Në Itali po, por jo te Interi.
Sipas “L’Equipe”, revistës së njohur sportive franceze, trajneri portugez po bisedon me Romën. Është fati i klubit verdhekuq gjatë kësaj periudhe, që mund të negociojë edhe me një emër të tillë të madh, duke pasur parasysh se “Special One” është i lirë.
Shumë është thënë për ardhjen e mundshme të Antonio Conte në stolin e kryeqytetasve italianë, por tani del në pah edhe hija e Mourinhos.
Kjo hije, sipas medias franceze në fjalë, po shtrihet dita-ditës edhe te PSG. Claudio Ranieri, i cili po përpiqet ta kualifikojë Romën në Ligën e Kampionëve, nuk do të jetë i lumtur.
Marrëdhëniet e tij me Mourinhon në të kaluarën nuk kanë qenë idilike, edhe pse u vendos paqja, kur Jose i doli në anë, kur italiani u shkarkua nga Leicesteri. Edhe marrëdhëniet midis Conte dhe Mourinho nuk kanë qenë kurrë të mira.
Trajneri portugez, që u shkarkua në dhjetor nga Manchester United, nuk do që të rrijë më pa punë, ndaj ka njoftuar rikthimin në sezonin e ri.
“Të gjithë e dinë, dua të kthehem e të stërvis një klub, që pranon filozofinë time të punës”.
Kujtojmë se eksperienca e tij e parë italiane ishte e mbushur me sukses. Ai fitoi tripletën në “San Siro”, çka e bëri një ikonë të Interit, por jo vetëm. Për episodin e dytë në Serie A, ndoshta do të duhet të presim.







