Ish trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, i ka dhënë meritat Jurgen Kloppit për suksesin e mbrëmshëm të Liverpoolit kundër Barcelonës, në gjysmëfinalen e dytë mes dy skuadrave në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Liverpooli e siguroi finalen e dytë radhazi të Ligës së Kampionëve, pasi e mposhti Barcelonën në ndeshjen kthyese gjysmëfinale me rezultat 4-0 në “Anfield”. Skuadra e Jurgen Klopp kishte pësuar disfatë 3-0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale, në “Camp Nou”.
“Nuk e prisja. Unë thash që asgjë nuk është e pamundur. Nëse ka një vend ku kjo gjë do të ishte e mundur, atëherë Anfieldi është një prej atyre vendeve ku e pamundura bëhet e mundur”, ka thënë Mourinho për BeIN Sports.
“Por, unë do të them se kjo “remontada” ka vetëm një emër: Jurgen. Mendoj se kjo s’ka të bëjë më taktikat apo filozofinë, por me zemrën dhe shpirtin që ai e ka krijuar te ky grup i lojtarëve”.
“Ata rrezikonin ta përfundonin një sezon fantastik pa pasur asgjë për të festuar, ndërsa tani janë vetëm një hap larg të shpallurit kampionë të Evropës. Sot, gjithçka ka të bëjë me mendësinë e Jurgenit”.
Liverpooli do ta zbulojë kundërshtarin e finales sonte, pas përballjes mes Ajaxit dhe Tottenhamit në gjysmëfinalen tjetër.







