I nervozuar me paraqitjen e fundjavës ndaj Crystal Palacet, trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho ka kërkuar nga lojtarët e tij të ndryshojnë qasje kundër Young Boysit sonte në Champions Leauge.

Pavarësisht se fitorja përballë klubit zviceran nuk është e domosdoshme, portugezi dëshiron që futbollisët e Unitedit ta cilësojnë këtë sfidë si të ishte e fazës me eliminim direkt.

“Djajtë e Kuq” kanë 7 pikë në vendin e dytë të grupit H, gjersa ndiqet nga Valencia një pozitë më poshtë me 5 pikë.

“Nuk është ndeshje vendimtare sepse nëse nuk fitojmë sërish nuk varemi nga rezultatet e skuadrave tjera. Do të varemi vetëm nga vetja. Por unë dua që kjo ndeshje të luhet nga minuta e parë sikur të ishte mundësia e fundit që kemi për t’u kualifikuar tutje. Dëshiroj të shoh lumturi për t’u ballafaquar me presionin te futbollistët që do të zgjedh. Nuk dua që skuadra ta fillojë ndeshjen duke pritur, opinioni publik mund të mendojë se këtë e kërkojë unë, por është totalisht e kundërta”, nënvizoi Mourinho.

United rrezikon të mos fitojë në “Old Trafford” për të katërtën ndeshje rradhazi në kompeticionet europiane, e që do të ishte hera e parë që ndodh, megjithatë Mourinho hodhi poshtë pretendimet se skuadra dëshiron të luajë në fushë mysafire sesa në shtëpi.

“Mendoj se do të ishte mungesë respekti për tifozët nëse do të kishim thënë se preferojmë të luajmë jashtë shtëpisë. Unë gjithmonë preferoj të luaj në shtëpi. Nëse dikush ndjen presion sepse njerëzit kanë ardhur për t’i shikuar, atëherë është më mirë të qëndrojë në shtëpi dhe ta shikojë ndeshjen përmes TV-së. Unë kurrë nuk kam ndjerë presion kur kam lujtur si vendas”, përmbylli fjalët e tij Jose Mourinho.