8 ndeshje pa shënuar

Mourinho i shqetësuar me mungesën e golave të Lukakut

Sulmuesi i Manchester Unitedit, Romelu Lukaku nuk ka shënuar gol në 8 ndeshjet e fundit ndërsa Jose Mourinho e ka shprehur shqetësimin e tij me këtë fakt.

United u dorëzua mbrëmë përballë Juventusit teksa u mposht 0-1 në “Old Trafford”, me Lukakun që e vazhdoi krizën e golave.

Mourinho e pranoi se është i shqetësuar me formën e dobët kur u pyet në lidhje me formën e dobët të sulmuesit belg, i cili ka shënuar 4 gola këtë sezon, që të gjithë në Premier League, të fundin me 15 shtator ndaj Watfordit.

“Po, por asnjë kritikë për të, ai është një profesionist i madh që dëshiron të bëjë më të mirën për skuadrën. Megjithatë më duhet të them se ky moment nuk është i mirë. Jo vetëm për golat që i mungojnë por edhe në vetbesimin, lëvizjet, prekjet, ai nuk e lexon mirë lojën e skuadrës. Sidoqoftë Lukaku është sulmuesi ynë dhe ne i besojmë atij”, tha Mourinho.

Trajneri portugez hedhi poshtë mundësinë e aktivizmit të Rashfordit në qendër të sulmit pasi që sipas tij nuk ka sulmues të krahut që mund ta zëvendësojë yllin e ri anglez.