Mourinho i impresionuar me dëshirën për sukses të Juventusit

Presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli nuk do të jetë i lumtur deri sa të fitojë 10 tituj rresht në Serie A, ka zbuluar Jose Mourinho.

Milani ka qenë skuadra e fundit që ka fituar “Scudetto” në sezonin 2010-2011, duke i hapur udhë pastaj dominimit të “Zonjës së Vjetër”. Viteve të fundit kanë qenë Napoli e Roma që kanë rivalizuar me “Bianconerët”, por klubi nga Torino gjithmonë ka pasur diçka më shumë duke triumfuar në fund të garës.

Trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho skuadra e të cilit u mposht 0-1 në “Old Trafford” përballë Juventusit, kishte vetëm fjalë pozitive për klubin e Angellit.

“Para ndeshjes i thashë presidentit Agnelli se do ta fitojnë kampionatin e 8-të rradhazi. Ai mu përgjigj se dëshiron 10 të tillë, më pëlqen mënyra si funksionon Juventusi. Ata veçse ishin të fortë por transferuan Cristiano Ronaldon, Leonardo Bonuccin, Emre Can dhe Cancelon. Juventusi synon tripletën dhe nëse nuk e arrijnë këtë sezon do të tentojnë në edicionet pasardhëse”, përfundoi Mourinho.

Manchester United i Mourinhos udhëton me 7 nëntor në “Allianz Stadium” për t’u përballur me Juventusin në ndeshjen kthyese të fazës së grupeve në Champions League.