Mourinho e vë në dyshim fuqinë e Manchester United në lidhje me transferimet

Iu ka ardhur fundi ditëve kur Manchester United ishte në gjendje t’i transferonte lojtarët e Tottenhamit apo klubeve tjera të mëdha, thotë Mourinho.

Sipas trajnerit të “Djajve të Kuq” ndryshimet e fundit në hierarkinë e futbollit anglez ia kanë pamundësuar Unitedit vazhdimin e viteve të dominimit në transferimin e lojtarëve.

Në vitet e 90-ta dhe gjatë fillimit të shekullit 21, 20 herë kampionët e Anglisë blinin yjet më të mëdha në qarkullim.

Në vitet e fundit Manchester United theu rekordin e shpenzuar për një lojtar, teksa transferoi Paul Pogban nga Juventusi për 100 milionë euro, ndërsa janë transferuar edhe futbollistë tjerë të rëndësishëm si Lukaku e Matic.

“Do të iu japë një shembull që shpresoj të jetë i mirë dhe që do ta interpretoni si duhet. A është Manchester United klub më i madh se Tottenhami për sa i përket historisë? Me gjithë respektin për Tottenhamin që është një klub i mrekullueshëm, mendoj se të gjithë do të thonin po. A mund t’i blejmë lojtarët më të mirë të Tottehamit? Jo sepse ata janë mjaftueshëm të fuqishëm sa për të thënë jo. Gjatë viteve të kaluara, United pati transferuar dy prej futbollistëve më të mirë të tyre, Michael Carrick dhe Dimitar Berbatov. Por tani ne nuk mund të bëjmë të njejtën gjë me Kane, Allin apo Eriksenin. Pra kush janë më të fortë, ne apo ata?”, nënvizoi Mourinho.

Portugezi theksoi se tani edhe klubet më modeste rezistojnë të mos i shesin lojtarët më të mirë të tyre duke e vështirësuar procesin e përforcimit të skuadrës.

Në anën tjetër, United po kalon nëpër një formë negative në Premier Leauge derisa ndodhet në vendin e 7-të me 21 pikë, kurse sonte takohet me Southamptonin në udhëtim.