Mourinho e pranon se Manchester United nuk është në garë për titull

Trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho mendon se derisa “Djajtë e Kuq” nuk janë pjesë e katër skuadrave të para nuk mund të konsiderohen kandidat për titull në Premier League.

United e përfundoi sezonin e kaluar në vendin e 2-të pas Cityt por këtë edicion kanë mbetur 9 pikë prapa rivalëve të qytetit të cilët janë edhe lider. Nesër në mesditë Manchester United takohet me Bournemouthin në udhëtim, kurse Mourinho e ka theksuar faktin se skuadra e tij duhet të rikthehet sa më shpejt në top 4-she për të synuar gjëra më të mëdha.

“Kur jeni jashtë 4 pozitave të para nuk besoj se duhet të flitet për titull. Kur jeni në top 4-she që besoj se së shpejti do të jemi, mund të shikoni distancën dhe kalendarin për t’i bërë llogaritë në garën për titull. Tani synimi është të marrim sa më shumë pikë dhe të përmbyllim muajin dhjetor në pozita më të mira se ku jemi për momentin”, u shpreh portugezi.

Mourinho tutje shtoi se paraqitja në 3 ndeshjet e fundit në Premier League ka qenë pozitive por jo e mjaftueshme, ndërsa u ankua për kalendarin që United e ka në ndeshjet në vijim.

“Gjithmonë them se në fund të sezonit do t’i kemi zhvilluar 19 ndeshje në shtëpi dhe 19 tjera në udhëtim. Por realiteti është se ndeshjet në udhëtim kanë pasur ndikim në formën tonë. Kishim dy ndeshje rresht në udhëtim përballë Burnleyt dhe Watfordit, dhe tani sërish do të përballemi me Bournemouthin dhe Manchester Cityn. Do ta kemi takimin me Juventusin në Torino para sfidës me Cityn, pastaj udhëtojmë te Valencia para ndeshjes me Liverpoolin në “Anfield”, pra kalendari nuk ka qenë i mirë me ne por besoj se do të jemi në pozita më komode se tani në fund të dhjetorit”, përfundoi Mourinho.