Manchester City e mposhti 3-1 Manchester Unitedin në derbin e qytetit por trajneri i “Djajve të Kuq”, Jose Mourinho mendon se paraqitja e lojtarëve të tij nuk ishte negative.
Kjo disfatë e lë Unitedin në diferencën e njejtë të pikëve me kreun e tabelës dhe rënien nga Premier League, teksa lidhur me këtë fakt janë bërë shumë shaka në rrjetet sociale, me Mourinhon që iu është përgjigjur duke thënë se nuk ka mundësi të ndodh diçka e tillë.
Goli i realizuar nga Anthony Martial me penallti ishte vetëm një ngushëllim për 20 herë kampionët e Anglisë që treguan shumë pak për të merituar pikë nga ky derbi. Por Mourinho nuk ishte i pakënaqur me performancën ndërsa hodhi poshtë rëndësinë e statistikave.
“City e filloi kampionatin në mënyrë të fortë dhe po vazhdon në atë mënyrë, kurse ne nuk e filluam mirë ndërsa po përmirësohemi secilën ditë. Nëse e shihni ndeshjen, ishte e hapur për 80 minuta, mendoj se askush nuk e ka lëshuar stadiumin deri në atë moment. Ata i luajtën 3 ndeshje në shtëpi gjatë javës së fundit ndërsa ne 3 jashtë, ata ishin të relaksuar pas fitoreve të thella kurse ne luajtëm ndaj njërës prej skuadrave më të forta në Europë, Juventusit ndeshje që na mori shumë energji si në aspektin fizik ashtu edhe psikologjik. Unë nuk i shkoj statistikat, vetëm njerëzit që nuk e kuptojnë futbollin merren me to, më mjafton paraqitja e skuadrës në fushë”, tha Mourinho.
Manchester United pozicionohet në vendin e 8-të në Premier League me 20 pikë të grumbulluara pas 12 javëve të zhvilluara.







