Një nga bashkëpunimet televizive, që Jose Mourinho ka sot për sot, është ai me “Russia Today”.
Aty, trajneri portugez ka folur edhe për sulmin në zemër që pësoi Iker Casillas.
“Më vjen keq për atë që ka ndodhur. Kam komunikuar menjëherë me drejtues të Portos për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Më thanë se është në duar të sigurta. Porto ka një staf mjekësor fantastik, një nga më të mirët, me të cilët kam punuar, – tha Mou, i cili ishte i vëmendshëm ndaj gjendjes së portierit.
“Shtypi portugez është plot informacione pozitive për të, madje duke nënvizuar se Iker mund të luajë futboll përsëri. Kur je 37 vjeç, në pjesën e fundit të karrierës, dhe ende po mendon të luash futboll, kjo vjen për shkak se situata është tërësisht nën kontroll”.
Marrëdhënia e tij me Casillas, kur drejtonte Real Madridin, ishte e acaruar. Me këtë rast, Mourinho shpjegoi se çfarë ndodhi mes tyre në dhomën e zhveshjes së “Los Blancos”.
“Të gjithë e dinë se, në një pikë të caktuar, kur vendosa për ta lënë atë jashtë ekipit, kemi pasur një konfrontim të vogël. Unë them se ishte çështje egoje, megjithatë u pa si një konfrontim mes kapitenit dhe trajnerit të Real Madridit. Nuk ishte e lehtë për mua që ta merrja atë vendim, ashtu sikurse nuk ishte e lehtë edhe për atë, që ta pranonte vendimin”.
Mourinho zbuloi se marrëdhënia e tyre tani është krejtësisht ndryshe: “Kjo është pozitive, raporti i tanishëm mes nesh nuk është siç mendojnë njerëzit”.







