Jose Mourinho i ka dalë në mbrojtje portierit të Chelseat, Kepa Arrizabalaga, pasi ai i refuzoi urdhrat e trajnerit, Maurizio Sarri, për t’u zëvendësuar në finalen e Carabao Cup, kundër Manchester Cityt.
Portieri i Chelseat e zemëroi trajnerin e tij, kur ai nuk pranoi të zëvendësohet në fund të pjesës shtesë në finalen e së dielës.
Willy Caballero po priste rreth fushës për të hyrë në lojë, mirëpo ai u detyrua të rrinte në stol edhe për gjuajtjet e penalltive, pasi që Kepa nuk pranoi të zëvendësohet dhe Sarri iu dorëzua portierit të skuadrës së tij.
Kepa nuk arriti ta mbrojë një penallti të gjuajtur keq nga Sergio Aguero dhe Manchester City e fitoi titullin e Carabao Cup, duke fituar 4-3 në gjuajtjet e penalltive, ndërsa koha e rregullt kishte përfunduar me rezultat 0-0.
Megjithatë, Mourinho insiston se atij i kishte lënë përshtypje guximi që shfaqi spanjolli në këtë incident.
“Portieri deshi ta tregojë personalitetin e tij, vetëbesimin e tij, ai deshi ta dëshmojë veten duke sinjalizuar se ai dëshiron t’i mbrojë penalltitë – mua më pëlqen kjo gjë”, ka thënë ish trajneri i Chelseat për DAZN.
Mourinho u shkarkua nga Manchester Unitedi në dhjetor të vitit të kaluar dhe sjellja e disa prej futbollistëve të skuadrës së tij e kishte përshpejtuar këtë shkarkim. Për këtë arsye, ai u shpreh pak empatik ndaj Sarrit dhe Caballeros.
“Për fat të mirë, unë nuk kam kaluar kurrë diçka të tillë. Nuk më pëlqen që ai e la trajnerin dhe ndihmëstrajnerin në këtë situatë, e madje edhe për bashkëlojtarin e tij”.







