Mospranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit për krime lufte, Millosh Pleskoviq ka shkaktuar tensione dhe reagime nga publiku, në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Pleskoviq po akuzohet se gjatë vitit 1998-99 në Prizren në bashkryerje me një grup serbesh të armatosur kishin vrarë tre civilë shqiptarë dhe plagosur disa të tjerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk e pranoj dhe nuk e kam kryer këtë dhe më vjen keq …”, tha i akuzuari Pleskoviç pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ilir Morina.

Pasi i njëjti nuk e pranoi fajësinë, pati reagime nga ana e publikut në sallë, për të cilin nga zyrtari policor u mësua se është Perver Daçaj, vëllai i njërit nga viktimat.

Gjykatësi Rrahman Beqiri menjëherë urdhëroi Policinë që i njëjti të largohet nga salla e gjykimit.