Morina: Takimi ndaj Barcelonës, historik për klubin dhe shtetin e Kosovës

Trajneri i Prishtinës në futsall, Huar Morina, e ka vlerësuar historike për ekipin dhe shtetin e Kosovës paraqitjen e Prishtinës në Ligën e Kampionëve kundër kampiones në fuqi të kësaj gare, Barcelonës.

Ai në konferencën për shtyp pas ndeshjes, e ka pranuar se Prishtina nuk e pati forcën t’i kundërvihet “blaugranas”.

Kampionia e Kosovës në futsall, Prishtina, u mposht në Spanjë të premten mbrëma nga Barcelona me rezultatin 9:2 në kuadër të 1/16 së finales në Ligën e Kampionëve.

“U munduam ta prezantojmë veten dhe klubin në mënyrën më të mirë. Por, Barcelona ishte një kundërshtare shumë e fortë. Për ne si ekip dhe mua personalisht, është lojë historike. Lojtarët u munduan ta japin më të mirën për aq sa patën mundësi”, ka thënë Morina.

Sidoqoftë, trajnerin Morina e gëzon fakti që është përballur me një kundërshtare të klasit botëror dhe se eksperienca e marrë në Spanjë, do t’i ndihmojë skuadrës në kampionatin vendor.

“Kemi marrë një motiv për të punuar më shumë, për të arritur një nivel më të lartë. Besoj se do të na ndihmojë shumë në kampionatin vendor dhe të punojmë gjithmonë që të jemi gjithmonë në Ligën e Kampionëve. Për neve është krenari, është diçka shumë e madhe dhe shumë e vështirë për të arritur në këtë nivel”, ka theksuar Morina.

Morina e pranoi se Barcelona luajti qetë dhe nuk u nxitua dhe se e ka parashikuar një ndeshje të tillë.