Mori karton të kuq në stol, Gattuso e tmerron lojtarin

Gennaro Gattuso shquhet për karizmën tij. Energjik dhe plot grintë, si në kohën kur ishte protagonist në fushë, edhe tani në rolin e trajnerit. Kur po luheshin minutat shtesë të ndeshjes Osasuna – Valencia 1-2, trajneri italian për pak “e hëngri në vesh” futbollistin Mouctar Diakhaby, nga më të spikaturit e skuadrës së tij.

Diakhaby kishte rreth pesë minuta që ishte zëvendësuar dhe për një fjalë më tepër që i tha gjyqtarit, u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë e rrjedhimisht me të karton të kuq, që e bën të humbasë ndeshjen e radhës ndaj Elches.

Gattuso iu hakërrye lojtarit në stol dhe e shfryu tërë inatin duke goditur me shkelm termusin e pijeve. 25-vjeçari duket i frikësuar nga reagimi i italianit aq sa struket sikur po i shmanget ndonjë goditjeje.

“Mendoj se ai duhet të respektojë vendimin e arbitrit, duhet shmangur ndëshkimi me karton në stol,” deklaroi Gattuso shumë më i qetë në konferencën për shtypin pas ndeshjes. /Demokracia.com