Sulmuesi spanjoll

Morata zbulon problemet me të cilat është përballur te Chelsea

Alvaro Morata shënoi dy gola në fitoren 3-1 të Chelseat në fundjavën e kaluar ndaj Crystal Palace, duke e çuar në 5 numrin e golave të shënuar këtë sezon në Premier League.

Por viti 2018 ka rezultuar të jetë vit i vështirë për sulmuesin spanjoll që mbeti jashtë edhe listës së lojtarëve që ishin ftuar për Kupën e Botës te “La Furia Roja”.

Morata zbuloi se kishte raste që fajësonte edhe shiun për formën e dobët, teksa shtoi se këto sprova e kanë forcuar në aspektin psikologjik tashmë që ka filluar të rikthehet në formë.

“Gjëja më e rëndësishme është se më në fund e kam gjetur rrugën e duhur dhe koka ime është mirë. Në futboll përgatitja fizike është e rëndësishme por më e rëndësishmja është koka. Nëse psikologjikisht nuk je në rregull atëherë keni probleme. Kam pasur periudha që gjeja vetëm arsyetime, nëse po binte shi isha nervoz, humbja rastet sepse fusha ishte e lagur. Secili mund të ketë periudha të vështira në jetë, por ne jemi njerëz të famshëm. Ndonjëherë njerëzit mendojnë se ne nuk jemi si ata, nuk kemi ndjenja dhe pa probleme”, zbuloi ish futbollisti i Real Madridit dhe Juventusit.

Morata tutje shtoi se ende nuk i ka kapërcyer totalisht këto probleme derisa edhe kundër Crystal Palace sipas tij dëshironte të shënonte golin e tretë, gjë që iu kishte shndërruar në obsesion dhe që i pamundësoi golin e tretë.