Drejtori sportiv i Romës, Mario Monchi nuk është i interesuar në spekulimet që e lidhin atë me një kalim te Barcelona, Atletico Madridi, PSG apo Manchester United.
Spanjolli i është bashkuar Romës në vitin 2017 derisa në sezonin e parë te “Giallorosët” skuadra arriti gjysmëfinalet e Champions League, ndërsa më herët te Sevilla kishte koleksionuar 11 trofe gjatë qëndrimit të tij në Andaluzi.
Sukseset e tij në transferimin e futbollistëve kanë ngjallur interesimin e top skuadrave në Europë, por Monchi në përfundim të ndeshjes së fituar 4-1 ndaj Sampdorias, i ka mohuar këto pretendime.
“Jam i lumtur që punoj te Roma dhe dua të qëndroj për shumë vite sepse ndiej shumë besim nga klubi. Shpresoj që spekulimet për largimin tim të ndalen. Synimi im është të punoj në mënyrën më të mirë të mundshme. Derisa të ketë besim ndaj meje, unë do të vazhdoj të qëndroj këtu”, zbuloi Monchi.
Pas 3 ndeshjeve pa fitore në Serie A, Roma u rikthye te triumfi duke mposhtur Sampdorian 4-1 me golat e Juan Jesus, Patric Schick dhe dy golëshin e Stephan El Shaarawyn, teksa kryeqytetasit ndodhen në vendin e 6-të me 19 pikë.







