Molliqaj, VV-së: E pranuat Haradinajn për kryeministër, tani po i gjunjëzoheni Mustafës që në kohën e tij vdiq Astrit Dehari
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, i është përgjigjur akuzave të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë ditës, prej kur u zyrtarizua koalicioni AAK – PSD.
Ai thotë se VV-ja e ka pranuar Ramush Haradinajn si kandidat për kryeministër gjatë 2015’ës kur u bë blloku opozitar VLAN.
Molliqaj thotë se së bashku me Haradinajn janë kryer disa prej punëve të shtetit si ushtria dhe ndalja e ndryshimit të kufijve.
Ndërkaq tutje ish-sekretari organizativ i VV’së thotë se partia e Albin Kurtit po i ‘gjunjëzohet’ LDK’se dhe Isa Mustafës.
Shkrimi i plotë:
VV-ja, nga frika ndaj fitores sonë, xhelozia që asnjë parti e madhe nuk i merr në koalicion, dhe urrejta patologjike ndaj PSD-së, i paska aktivizuar strukturat linquese dhe profilet e rrejshme në Facebook për të na sulmuar.
Populistët që sot flasin për ”parime” kundër koalicionit me AAK-në, janë po të njëjtit që në vitin 2015 u futën në koalicionin VLAN dhe e pranuan Haradinajn si kandidat për kryeministër.
Por tash janë kundër Haradinajt. Jo për ndonjë arsye parimore, por për shkak se ne së bashku me Haradinajn, e krijuam Ushtrinë, i ndalëm pazaret e Thaçit me territorin e Kosovës dhe e defaktorizuam Listën Serbe. Derisa ata merreshin vetëm me llafe e shpifje.
E këto veprime, i kanë lënë populistët pa kauzë. Ata nuk e dijnë për cka do të kërkojnë votë, meqenëse kartën nacionaliste nuk ua beson më askush. Qytetarët e kanë kuptuar që ata kanë vetëm fjalë e asgjë tjetër.
Dallimi është se ata i gjunjëzohen Isa Mustafës për koalicion kryekëput për interesa personale, dhe harruan që ishte pikërisht Isa Mustafa kryeministër në kohën kur vdiq në burg Astrit Dehari e u burgosën aktivistët e tjerë. Ndërsa ne nuk lidhem koalicion me Haradinajn për interesa personale, por për t’i shty përpara politikat tona për shtetndërtimin e Kosovës.
Nuk ju kemi faj ne që janë dhe do të mbesin të vetmuar. Nuk kemi faj ne që humbja e tyre është po aq e sigurt sa edhe fitorja jonë. Nuk mund t’i shërojmë nga xhelozia. Veç mund t’ju themi shihemi pas zgjedhjeve, kur ata do të luftojnë për vendin e tretë, ndërsa ne do të jemi forca e parë ?