Molliqaj pro rrëzimit të Qeverisë

Partia Socialdemokrate e udhëhequr nga Dardan Molliqaj kanë bërë të ditur se sot kanë mbajtur mbledhje të kryesisë, për të diskutuar lidhur me situatën politike në vend. PSD beson që qeveria në krye me Albin Kurtin duhet të shkarkohet.

Në njoftimin e nisur për media nga PSD-ja, thonë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Ashtu siç Kosova nuk mund të ecë përpara me qeverisje të mentalitetit të vjetër, njësoj, nuk mund të ketë përparim me një qeveri të mendësisë bolshevike e populiste. Qeveria Kurti erdhi dhe po shkon pa asnjë program serioz, të majtë e progresiv, që adreson problemet ekonomike e sociale të Republikës së Kosovës dhe që e zgjidhë përfundimisht problemin e pazgjidhur me Serbinë”, thuhet në njoftim.

“Në vend të saj, patëm një qeveri të spektaklit e PR-it; një qeveri që synimin kryesor e kishte mveshjen me autoritet absolut të liderit të saj dhe që në funksion të këtij synimi rrezikoi pozitën  e Kosovës në raport ndërkombëtar dhe demokracinë e vendit në aspektin e brendshëm. Qeveria Kurti nuk pati asnjë plan alternativ për negociatat. Në fakt VV-LDK qysh nga fushata parazgjedhore kanë qenë të prirura nga një mashtrim oportunist. Ato u thanë njerëzve se dialogu me Serbinë është çështje periferike për të cilën as nuk preferonin të flisnin. Si rrjedhim, gjithë çfarë deshti kjo qeveri ishte ndërrimi i figurave udhëheqëse të këtij procesi”, shkruhet në komunikatën e nisur për media nga PSD-ja.