Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas publikimeve të kompensimeve që deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë marrë.
Molliqaj, ka rishpërndarë një postim të kryeministrit Kurti, i bërë në vitin 2018, ku ky i fundit thoshte se “nafta kurrë s’ka qenë më shtrenjtë: 1 litër = 1 euro e 22 centë”, ku i pari i PSD-së tha se vetë Kurti s’ka hequr dorë prej privilegjeve të tij si kryeministër i vendit.
“Letra e Kusarit ndaj deputetëve është me motive populiste. Thirrja për disiplinë dhe shtrëngim radhësh erdhi vetëm pasi plasi skandali”.
“Prapa tij fshihet një e vërtetë më e madhe: shtëpia e madhe, xhipat, truprojet e privilegjet tjera i takojnë vetëm Kurtit. Ai nuk ka hequr dorë prej tyre, ndërsa ndaj deputetëve të tij përdorë një standard tjetër, për ta fshehur standardin jetësor të Kryetarit”, ka shkruar Molliqaj, transmeton Klankosova.tv.
I pari i PSD-së tha se versioni zyrtar rreth cështjes së kompensimeve luan edhe funksionin e distancimit dhe disiplinimit.
“Në rast se deputeti gabon, kjo të mos i faturohet partisë, ndërsa nëse nuk bindet, i humb privilegjin e të qenurit me pushtet”, ka thënë Molliqaj.







