Molliqaj: Kurti është i vetmi politikan që pat thënë ”Hashim, shko në Hagë”, për krimet e UÇK-së

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka reaguar pas deklaratave skandaloze të këshilltarit të Kurtit, Shkëlzen Gashi për UÇK-në dhe Dick Martyn.

“Haki Abazi, Shkelzen Gashi, Agim Bahtiri, Mimoza Kusari, Taulant Kryeziu…Çfarë kanë të përbashkët këta emra, me VV-në që e keni njohur? Asgjë. Por, këta emra nuk janë aksidente, në fakt janë tregues I instrumentalizimit të skajshëm”, ka shkruar Molliqaj.

Postimi i plotë:

Është Albin Kurti

Albin Kurti e ka njohur Shkëlzen Gashin, ia ka ditur këto qëndrime. Për sa kohë nuk jemi në gjendje ta kuptojmë VV-në ideologjikisht, thjesht do të flasim për njerëzit vërdallë Kurtit, pa kuptuar asgjë.

Kur e konsideron veten kusht për historinë, s’ka të vërtetë përtej teje. Bëhesh i ftohtë në përdorimin e mjeteve dhe secila kauzë është e vlefshme aq sa të shërben. Ky është Albin Kurti, është instrumentalizimi i skajshëm që duhet kritikuar. Kurti është i vetmi politikan që pa asnjë skrupull pat thënë ”Hashim, shko në Hagë”, për krimet e UÇK-së për të cilat flet Dick Marty gjithmonë. Pse? Sepse ashtu i leverdis luftës së tij politike. Kur i leverdiste ndryshe, thoshte se nuk do t’i dorëzojë njerëzit e UÇK-së në Hagë.

Haki Abazi, Shkelzen Gashi, Agim Bahtiri, Mimoza Kusari, Taulant Kryeziu…Çfarë kanë të përbashkët këta emra, me VV-në që e keni njohur? Asgjë. Por, këta emra nuk janë aksidente, në fakt janë tregues I instrumentalizimit të skajshëm. S’kanë rëndësi bindjet sepse Kurti nuk njeh subjekte. E rëndësishme është të shërbesh. Servilët këtë punë e bëjnë.