Mesfushori i Real Madridit, Luka Modric është njëri prej favoritëve kryesorë për të triumfuar në garën individuale për Topin e Artë, por ky fakt nuk i bën përshtypje kroatit.

Modric ishte vendimtar në suksesin e Real Madridit në Champions League teksa udhëhoqi edhe Kroacinë deri në finalen e Kampionatit Botëror që u mbajt verën e kaluar në Rusi.

Në anën tjetër 33 vjeçari është shpallur lojtari më i mirë i vitit nga FIFA këtë shtator, por Modric insiston se viti i tij ka qenë i shkëlqyeshëm dhe nuk do ta ndryshonte këtë fakt edhe nëse nuk e fiton Topin e Artë.

“E kam thënë edhe herën e kaluar se jam i nderuar që jam në garë për këtë çmim. Nëse e fitoj, askush nuk do të jetë më i lumtur sesa unë, por nëse nuk e fitoj nuk do të ndryshojë asgjë. Viti im ka qenë i mrekullueshëm”, tha Modric.

Ndërkohë humbja e djeshme 2-1 e Kroacisë në “Wembley” përballë Anglisë i dërgoi ballkanasit një kategori më poshtë në Nations League.