Modric: Griezmanni e meriton Topin e Artë më shumë se Mbappe

Mesfushori kroat i Real Madridit, Luka Modric, beson se ylli i Atletico Madridit, Antoine Griezmann, është francezi i cili e meriton më së shumti ta fitojë Topin e Artë, më shumë se ylli i Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappe, dhe bashkëlojtari i Modricit, Raphael Varane.

Modric konsiderohet favoriti për ta fituar këtë çmim, i cili ndahet më 3 dhjetor nga France Football, dhe ai pritet të bëhet lojtari i parë që e përfundon dominimin e yjeve të Juventusit dhe Barcelonës, Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, shumë futbollistë të tjerë francezë konsiderohen gjithashtu pretendentë për këtë çmim, pasi që Kombëtarja e Francës triumfoi gjatë verës në turneun e Kupës së Botës në Rusi, në finalen e së cilës e mposhtën Kroacinë me rezultat 4-2.

Griezmanni e shijoi një sezon të mrekullueshëm vitin e kaluar, duke e fituar titullin e Evropa Ligës me Atletico Madridin. Pas këtij triumfi, ai arriti t’i shënojë katër gola në rrugëtimin e “Les Bleus” drejt triumfit në Rusi.

Për këtë arsye, Modrici beson se Griezmanni është francezi me gjasat më të mëdha për ta fituar këtë çmim, edhe më shumë se Mbappe, i cili kishte qenë gjithashtu i rëndësishëm për Kombëtaren e Francës, si dhe i kishte shënuar 21 gola për PSG-në sezonin e kaluar.

“Do ta vendosja Antoine Griezmannin si favorit nga tre nga futbollistët francezë, për shkak të të gjitha gjërave që ai i arriti sezonin e kaluar”, ka thënë Modric për France Football.

“Mbappe? Ai është një talent i jashtëzakonshëm, ai ka potencial të mrekullueshëm për të ardhmen, por megjithatë, ai tashmë e ka dëshmuar veten që i përket nivelit më të lartë. Ai është me të vërtetë i veçantë”.