Ministria e sportit

MKRS në vend që ta ndihmojë ajo po e poshtëron futbollin e basketbollin

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit edhe njëherë doli te jetë kundër sportit.

Kohë më parë ajo e dëmtoi maksimalisht futbollin dhe klubet sportive duke mos i licencuar për një kohë të gjatë e që në fund doli që moslicencimi ishte vetëm për shkak të tekeve të disa individëve që punojnë në këtë ministri.

Por kjo nuk mjaftoi, dhe tash me kategorizim e sporteve, ajo ka dëshmuar edhe njëherë se nuk po punon në favor të sportit. Lënia në kategorinë B të dy sporteve më popullore në vend, futbollit dhe basketbollit duke vendosur disa kritere absurde, tregon qartë se në këtë institucion po punohet me inate dhe jo për interes të sportit.

Ditë më parë krerët e federatave më të mëdha kolektive në vend i reaguan këtij institucioni duke i bërë thirrje ta rishikojë kategorizimin dhe t’i kthejë këto dy federata aty ku e kanë vendin pra në A, por kjo nuk ndodhi, dhe sot MKRS doli me vendim përfundimtar duke i quar në kategorinë B, futbollin e basketbollin derisa në A i vendosi Xhudon (padiskutim) dhe hendbollin e volejbollin.

Kjo ministri vazhdon të vendos kritere të çuditshme për këto federata, derisa vet nuk është e aftë të kryej asnjë punë si duhet. Sot infrastruktura sportive që është përgjegjësi e ministrisë është më keq se kurrë, palestrat sportive pas çdo shiu bëhen pothuaj joaktive pasi pikojnë, derisa stadiumet si ai “Adem Jashari” në Mitrovicë dhe “Stadiumi Nacional” janë harruar, derisa ditë më parë edhe stadiumi i Gjilanit mori një shuplakë dhe duket se do të jetë për kohë të gjatë jashtë funksionin.

Në Prishtinë në stadiumin “Fadil Vokrri” shohim se asnjë ndërhyrje nuk është bërë dhe Kombëtarja e Kosovës rrezikon fuqishëm që ndeshjet e saja t’i luajë jashtë Kosove dhe këtë vetëm për neglizhencë të MKRS-së. Për këto dështime, kush duhet të jepe përgjegjësi, adresa është e saktë MKRS.  /Ballkani.info