Ministria e Sportit do ta mbështesë Federatën e Basketbollit të Kosovës me 248 mijë e 472 euro

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) sot është gëzuar nga Qeveria e Kosovës. Ministria e Sportit e mbështeti me afro 250 mijë euro.

Ministri Kujtim Gashi sot e vizitoi shtëpinë e basketbollit, ku u prit nga presidenti Arben Fetahu. Ata e nënshkruan edhe memorandumin e këtyre të hyrave financiare.

Qëllimi i nënshkrimit të këtij memorandumi është mbështetja financiare e Federatës së Basketbollit në realizimin e synimeve dhe objektivave të saj për periudhën janar-dhjetor 2019, duke zbatuar politikat programore të Ministrisë në fushën e sportit dhe në pajtim me dispozitat e Ligjit për Sport dhe akteve tjera nënligjore të përcaktuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Sportit.

“Konkretisht, Federata e Basketbollit të Kosovës, mjetet financiare të pranuara do t’i shfrytëzojë për realizimin e politikave programore për avancimin e sportit femëror, avancimin e sportit cilësor, për mjekësinë sportive, për zhvillimin e aktiviteteve sportive të karakterit ndërkombëtar brenda dhe jashtë vendit, për aktivitetet për minoritetet dhe sportin multietnik, për personat me aftësi të kufizuara, etj”, thekson Ministria.

Ministri Gashi tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje bëhet me një vullnet të madh dhe vjen si rezultat i sukseseve që i ka sjellë Kosovës basketbolli sidomos në fundin e vitit 2018 të cilin ministri tha se e konsideron si periudhë historike për basketbollin.

Ndërkaq, kryetari i Federatës u shpreh po ashtu i kënaqur me nënshkrimin e këtij memorandumi. Fetahu e falënderoi ministrin Gashi për përkrahjen e tij të vazhdueshme ndaj sportistëve dhe për avancimin e basketbollit në Kosovë.