Mjeku shqiptar në SHBA: Izolimi për shkak të COVID-19 ishte gabim, më vonë do t’i shohim efektet

Mjeku dhe drejtori i zhvillimit të vaksinave në “Geovax”, në SHBA, Arban Domi tha se nuk duhet krijuar panik nga COVID-19 dhe se propaganda duhet shmangur, sepse pasojat e tanishme, sipas tij, do t’i vuajmë në të ardhmen.

Sa i përket izolimit e konsideroi vendim të gabuar dhe se për këtë arsye, sipas tij, mbyllja nuk duhet menduar si një opsion parandalues për përhapjen e koronavirusit.

“Tani njohim shumë më tepër, shkollat në Evropë janë hapur. Nuk duhet të shkaktojmë panik te popullata. Vitet e ardhshme do të shihen edhe efektet te fëmijët për shkak të këtij virusi. Qytetarët duhen ndërgjegjësuar përsa i përket maskës.

Po ashtu, duhet të dinë rëndësinë, vlerën kur duhet dhe nuk duhet ta mbajmë maskën. Unë maskën nuk e mbaj se duhet mbajtur, sepse e di që maska ka një mbrojtje, por edhe një limit në mbrojtje. Vënien e maskës nuk duhet ta imponosh, por duhet ta edukosh”, tha mjeku për ABC News.

Gjithashtu mjeku shpjegoi se vaksina e gripit nuk ndihmon për COVID-19 është një vaksinë e re dhe se bëhet çdo vit.

“Nuk mund të mbështetesh në të dhënat e testit serologjik. Testet serologjike mund të bëhen me dëshirë dhe sipas mundësisë financiare, por nëse dilni pozitiv, nuk jeni 100% pozitiv dhe nëse dilni negativ nuk dilni 100% negativ. Më i sigurt është tamponi PCR dhe është në periudhën që jeni të infektuar. Nëse keni udhëtuar dhe dëshironi të bëni testin e tamponit rekomandoj të bëhet pas ditësh pasi është bërë udhëtimi”, tha ai.