Mjalti më i Mirë i Shqipërisë, ja ku mund ta gjeni atë

Disa lloje të mjaltit të luleve kanë tendencën të kristalizohen më shpejt se të tjerët.

Shqiptarëve u ngjit mjalti. Aq shumë sa po t’i referohemi shkrimeve të filozofit të njohur, Aristotelit, ilirët arrinin të bënin një verë të shkëlqyer prej tij.

Procesi ka ngelur enigmatik, por nëse i referohemi filozofit bëhej duke shtrydhur hojet e mjaltit diku para tre mijë vitesh dhe mund ta imagjinoni vetë se çfarë vere mund të dilte.

Shqiptarët e sotëm nuk dinë të prodhojnë më nga kjo lloj vere, por ama dinë të shijojnë një lugë të mirë nga ky lëng mrekullibërës. Por në fakt, çfarë e bën mjaltin kaq popullor?

Ka shumë të ngjarë të jetë lehtësia me të cilin përdoret dhe konsumohet.

Ne mund ta konsumojmë mjaltin direkt, të lyejmë me të bukën, ta përziejmë me lëngje të ndryshme duke zëvendësuar sheqerin, apo ta përziejmë me ujë të ngrohtë, me kanellë apo me bimë të tjera medicinale për ta shndërruar në një ilaç natyral.

Por mbi të gjitha, vlerat e tij ushqyese janë ato që e bëjnë kaq të dobishëm dhe të shëndetshëm.

Nëse ju kanë humbur, ja llojet më të mira të mjaltit që gjenden në Shqipëri dhe disa nga vetitë speciale të mjaltit.

Disa nga llojet më të rëndësishme të mjaltit në vend
Mjalti i Zadrimës
Zadrima në veri të Shqipërisë (rajoni i Lezhës) ka kushte të shkëlqyera klimaterike për bletarinë, ndaj dhe është e përhapur në të gjithë zonën.

Mjalti më i njohur është ai i sherebelës, i cili vjen nga dy zona kodrinore dhe prodhohet mes muajit maj dhe qershor.

Mjalti i Pukës
Mjalti që prodhohet në Pukë ka vlera të larta ushqyese, si pasojë dhe e natyrës dhe diversitetit të bimëve medicinale që gjenden në zonë.

Këto specifikime e pozicionojnë shumë mjaltin e Pukës në tregun e Durrësit dhe të Tiranës.

Mjalti i Malit (Tropoja/Korça)
Ky është një mjaltë që ka një reputacion të lartë në Shqipëri. Prodhimi i mjaltit është një zgjidhje për shumë ferma të vogla që ndodhen në zonat malore, të cilat nuk kanë shumë mundësi që ta zgjerojnë prodhimin e tyre agrikulturor dhe të shkojnë në treg.

Objektivi kryesor i bletarëve të këtyre zonave është që të rrisin prodhimin, jo vetëm për tregun vendas, por edhe për eksport, duke qenë se çmimi i një mjalti të çertifikuar pothuajse dyfishohet.

Mjalti i Gështenjave nga Tropoja
Ky mjaltë mblidhet në pyjet e Tropojës, ku karakteristikat e alpeve shqiptare kontribuojnë në freskinë dhe në shijen e veçantë dhe të ëmbël të kombinuar me të hidhur.

Karakteristikë është ngjyra e thellë e këtij mjalti. Mjalti i gështenjave ka një potencial të madh suksesi në tregun e Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit si dhe në tregun ndërkombëtar.

Mjalti i Himarës
Ky mjaltë mblidhet në pyjet e shpateve të Llogarasë, por edhe më tej, nga Palasë e deri në Borsh.

Bimësia e zonës, pasuria e madhe e luleve dhe aromave, kombinuar me klimën detare dhe malore, e bëjnë këtë mjaltë shumë të kërkuar në të gjithë vendin.

Mjalti i Përmetit
Njëra nga shumë vlerat e përmetarëve është krenaria e tyre dhe kujdesi për cilësinë.

Mjalti është një nga shumë produktet me të cilat përmetarët mburren dhe me të drejtë.

Flora, karakteristikat gjeografike, relievi i zonës së Përmetit është një garanci cilësie, sidomos nëse përmendim Mjaltin e Malëshovës.

Por sasia e prodhuar e këtij mjalti është shumë e kërkuar në të gjithë Shqipërinë dhe shitet në mënyrë të menjëhershme sapo prodhohet.

Mjalti i Maleve të Gjirokastrës
Kullotat malore të rajonit të Gjirokastrës janë një bazë e mirë natyrale që siguron një mjaltë me vlera të shëndetshme.

Mjalti i maleve dhe vargmaleve të Gjirokastrës mbulon nevojat e popullsisë përreth dhe arrin edhe tregjet e qyteteve kryesore.

Super Vetitë e Mjaltit
Parandalon sëmundjet e zemrës

Mjalti përmban flavanoide, antioksidantë, të cilat ndihmojnë në uljen e rrezikut të radikaleve të lira dhe sëmundjeve kardiake.

Ul shqetësimet gastrointestinale dhe të ulçerës

Studime të fundit kanë treguar se trajtimi me mjaltë mund të ndihmojë në probleme të ulçerës apo ato bakteriale gastrointestinale, që kanë lidhje dhe me vetinë e tretë.Anti-bakterial, anti-fungal

“I gjithë mjalti është antibakterial, pasi bletët shtojnë një enzimë që prodhon peroksid hidrogjeni”, tregojnë studimet mbi mjaltin.

Zbut kollën dhe irritimet e fytit

Mjalti të ndihmon me kollën. Në një studim të kryer në 110 fëmijë ka rezultuar se përdorimi një doze të vetme mjalti ishte po aq efektive sa ilaçi për të qetësuar kollën gjatë natës.

Balancon 5 elementët

Gjithashtu është i dobishëm në përmirësimin e shikimit, për rënien nga pesha, shqetësime të traktit urinar, azma bronkite, diarreja dhe të vjellat.

Mjalti cilësohet ndryshe si shërues magjik duke qenë se ka aftësi për të penetruar në indet më të thella të trupit.

Rregullon sheqerin në gjak

Edhe pse mjalti përmban thjesht sheqer, nuk është i njëjtë si sheqeri i bardhë apo ëmbëlsues të tjerë artificialë.

Kombinimi i fruktozës me glukozën ndihmon që trupi të rregullojë nivelet e sheqerit në gjak.

Shëron plagët dhe djegiet

Aplikimi i mjaltit në pjesën e jashtme ka treguar të jetë aq efektiv sa dhe trajtimet me sulfadiazen.

Efekti tharës i sheqerit me natyrën antibakteriale të mjaltit të kombinuara bashkë japin këtë efekt.

Probiotik

Disa varietete të mjaltit përmbajnë sasi të mëdha bakteresh miqësore.

Këtu përfshihen 6 specie lactobacilli dhe 4 specie të bifidobacteria. Kjo në një farë mase mund të shpjegojë dhe “aftësitë misterioze terapeutike të mjaltit”.

Lëkurë e bukur
Cilësitë antibakteriale janë në mënyrë të veçantë tejet të dobishme për lëkurën.

Dhe nëse përdoren dhe me përbërës të tjerë mund të jenë shumë hidratues dhe zbutës